Aplikacioni që tregon se sa kohë na ka mbetur

24/03/2015 00:00

Së shpejti, në “AppStore” pritet të hidhet një aplikacion që “do të tregojë jetëgjatësinë tuaj” në bazë të të dhënave që do të përpunojë nga rrahjet e pulsit, një lloj numërimi mbrapsht i viteve, muajve, javëve, ditëve e orëve, pikërisht ashtu siç u ndodh edhe protagonistëve të filmit “Time”.

Si funksionon? Në bazë të pulsit aplikacioni përllogarit afërsisht kohën e mbetur. Kjo kohë pakësohet vazhdimisht, por nëse ushtrohen aktivitete fizike dhe një regjim i shëndetshëm ushqimi e jetese atëherë në kohëmatës minutat shtohen gradualisht, gjithnjë duke u bazuar te pulsi.

Ideatorët nuk synojnë që me aplikacionin e tyre të shndërrohen në parashikues të jetëgjatësisë së personave të tretë. Ata thonë se ideja synon të motivojë njerëzit në ndjekjen e një regjimi dhe mënyre të shëndetshme jetese.

“Duam t’u japim guxim njerëzve që të bëjnë zgjedhjet e duhura për veten dhe shëndetin e tyre. Duam t’u tregojmë se sa me rëndësi janë për të ardhmen zgjedhjet që bëhen në të tashmen”, thotë për “Mashable” Tom Le Bree nga “RehabStudio”, agjencia që ka hartuar projektin.

Top Channel