ISIS ka rekrutuar 400 fëmijë nën 18 vjeç që prej janarit

24/03/2015 00:00

Shteti Islamik ka rekrutuar të paktën 400 fëmijë në Siri përgjatë 3 muajve të fundit, duke i indoktrinuar këta të ashtuquajtur “këlyshë të Kalifatit” sipas vijës së tyre të ashpër nëpër qendrat stërvitore ushtarake.

Lajmi është njoftuar këtë të martë nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese me seli në Londër, që ka shtuar se fëmijët, të gjithë nën 18 vjeç, janë rekrutuar pranë shkollave, xhamive dhe në ambiente publike, ku Shteti Islamik ka kryer vrasje dhe ndëshkime brutale ndaj banorëve lokalë.

Një djalosh i tillë është shfaqur në një video në fillim të marsit, i cili qëllonte për vdekje një arabo-izraelit të akuzuar nga militantët e Shtetit Islamik për spiunazh. Një burim i policisë franceze tha se fëmija mund të jetë gjysmëvëllai i Mohamed Merah, i cili vrau 3 ushtarë, një rabin dhe 3 fëmijë hebre në Tuluzë, gjatë vitit 2012.

“Ata i përdorin fëmijët, sepse është tepër e lehtë t’i gënjesh ata dhe t’ua blesh mendjen. Ata mund të ndërtojnë gjithçka duan me këtë bazë të miturish, duke i ndaluar të shkojnë nëpër shkolla, e duke i dërguar në ‘shkollat’ e ISIS”, tha Rami Abdulrahman, kreu i Observatorit me qendër në Britani.

Shteti Islamik deklaroi krijimin e Kalifatit vitin e kaluar në territoret e kontrolluara prej tij në Siri dhe Irak, ndërsa thuajse prej të njëjtit afat kohor edhe është bërë shënjestër e sulmeve ajrore, të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara në të dyja vendet e Lindjes së Mesme, ku ka hedhur rrënjë.

Xhihadistët kanë ekzekutuar me prerje koke ose kanë qëlluar për vdekje shumë civilë sirianë, luftëtarë kundërshtarë, ndihmësit e huaj vullnetarë dhe gazetarë të ndryshëm, duke publikuar edhe video ku fëmijët shfaqen si dëshmitarë të këtyre ngjarjeve makabre. Militantët e ISIS kanë persekutuar shumë minoritete fetare të sekteve apo etnive që nuk aderojnë në doktrinën e tyre ekstremiste.

Grupi po mundohet të rekrutojë fëmijë, sepse ka ndeshur shumë vështirësi në rekrutimin e të rriturve që prej fillimit të këtij viti. Vetëm 120 të rritur u janë bashkuar radhëve të tyre, sipas kreut të Observatorit, Abdulrahman. Kjo, kryesisht për shkak të kontrolleve tepër të ashpra në kufirin turko-sirian, të përdorur shpesh prej luftëtarëve që tentojnë t’i bashkohen ISIS.

Top Channel