Rumani, kërkohet arrestimi i ish-ministrit të Financave për marrje ryshfeti

24/03/2015 00:00

Prokurorët rumunë kanë zgjeruar një hetim ndaj ish-ministrit të Financave, Darius Valcov, i akuzuar se ka siguruar përfitime nga biznese të paligjshme, pasi zbuluan në shtëpinë e tij parà, shufra ari dhe një pikturë të një impresionisti francez.

Valcov, figura më e lartë e dorëhequr politike e vendit që është vënë nën hetim për korrupsion, në këtë valë goditjesh të vazhdueshme kundër marrjes së ryshfetit në nivele të larta, tha për “Reuters” se ishte i pafajshëm dhe mund të japë të gjitha shpjegimet e nevojshme për veprimtarinë e tij në Parlament.

Prokurorët nisën hetimin ndaj Valcov në fillim të këtij muaji, duke e akuzuar atë për favorizim të një firme për të përfituar një kontratë të punëve publike, në këmbim të 2 milionë eurove, ndërkohë që ishte në postin e kryebashkiakut të Slatinas.

Valcov, i cili është gjithashtu edhe senator, dha dorëheqjen si ministër i Financave vetëm pak ditë pas hetimeve, ndërsa atë post e mban Victor Ponta, njëkohësisht kryeministër dhe ministër i përkohshëm i Financave.

Parlamenti pritet të mblidhet të mërkurën për të vendosur nëse do të pranojë një kërkesë prej prokurorëve për të lëshuar një urdhër-arresti të përkohshëm për Valcov, deri në përfundim të hetimeve. Bazuar në ligjin rumun, prokurorët kanë nevojë për miratimin e Parlamentit për të hetuar dhe arrestuar ligjvënës në detyrë për akuza të pretenduara të ryshfetit apo korrupsionit, teksa kanë qenë në detyra të rëndësishme publike.

“Duke nisur nga viti 2011 dhe deri më tani, Valcov ka kryer operacione financiare ose marrëveshje biznesi të papërshtatshme me postin e tij si kryebashkiak, senator apo ministër. Veprimet e tij kanë lidhje me regjistrimet hipotekore, firmat e kontabilitetit dhe ato ligjore që ai zotëron dhe menaxhon përmes palëve të treta”, kanë deklaruar prokurorët.

Ata kanë shtuar se, disa prej përfitimeve të paligjshme janë përfituar drejtpërdrejt nga Valcov, përfshirë edhe një shumë prej 90 mijë dollarësh, 3 shufrash ari me peshë 3 kg, si dhe 3 piktura, të gjitha këto të gjetura në banesën e tij. Njëra prej pikturave duket se është bërë nga mjeshtri francez Pierre-Auguste Renoir.

Top Channel