Doshi: Fakte të reja që tregojnë se janë manipuluar dëshmitarët

24/03/2015 00:00

Deputeti Tom Doshi deklaroi se të mërkurën, në Komisionin e Mandateve do
të paraqesë një tjetër fakt, që sipas tij, provon se si është fshehur e
vërteta dhe janë manipuluar dëshmitarët kyç në akuzat e ngritura prej
tij kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

“Të mërkurën, në Komisionin e Mandateve do të bëj publik një fakt tjetër rrënqethës, pas të cilit nuk do mbetet asnjë shqiptar i paqartë për hetimet që janë bërë, si është fshehur e verteta dhe si janë manipuluar dëshmitarët kyç në këtë histori”- shkruan Tom Doshi në Facebook.

Deputeti i Qarkut të Shkodrës akuzon Prokurorin e Përgjithshëm se është i kapur, sipas tij, nga kreu i Kuvendit Ilir Meta.

“Prokurori i Përgjithshëm po përdoret nga Ilir Meta për të shkelur ligjin dhe për të bërë skandale që nuk do t’i bënte askush, as një jurist i thjeshtë, jo më Prokurori i Republikës. Janë dy arsye kryesore: Të shpëtonte Ilir Metën nga dalja e filmimeve të aeroportit të Hanoverit, ku Spartak Braho takoi vëllain e Fatjon Skënderaj, fakt ky që do të nxirrte zbuluar manipulimin që i bën ata këtij dëshmitari dhe të shpëtonte veten nga dëshmia, që do ishte një provë ligjore se ai ka pasur dijeni dhe se nuk bëri asgjë për 6 muaj rresht, duke mbrojtur krimin. Pas kësaj dëshmie Prokurori i Përgjithshëm duhet të jepte dorëheqjen për shpërdorim detyre dhe mosveprim për hetim të krimit”, shkruan Doshi.

Deputeti thotë se kërkesa për arrestimin e tij për kallëzim të rremë është një sajesë e ulët e ngritur mbi interesa të ngushta personale.

Top Channel