Britania do të shtojë praninë ushtarake në ishujt Falkland

24/03/2015 00:00

Britania do të përforcojë prezencën e saj ushtarake në ishujt e diskutueshëm Falkland, për të siguruar mbrojtjen e duhur të tyre, deklaroi këtë të martë Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, një lëvizje që u konsiderua e panevojshme nga Argjentina, e cila ka gjithashtu pretendime mbi zotërimin e arkipelagut.

Tensionet mbi ishujt Falkland vijojnë prej më shumë se 30 vjetësh, pasi forcat argjentinase pushtuan ishujt në vitin 1982, ndërsa Britania dërgoi një “task-force” për t’i rimarrë ato nën kontroll përmes një lufte të shkurtër, nga e cila mbetën të vrarë më shumë se 600 ushtarë argjentinas dhe 255 britanikë.

“Do të përforcojmë mbikëqyrjen tonë – tha Fallon përpara Parlamentit britanik. – Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtën e ishullorëve për të përcaktuar të ardhmen e tyre dhe për të vijuar mënyrën e tyre të jetesës kundër çdo lloj kërcënimi që mund të ngrihet ndaj tyre”.

Britania do të dërgojë dy helikopterë “Chinook” drejt ishujve Falkland deri në mesin e vitit 2016, do të shtojë komunikimet me bazën e Forcave Ajrore të Mbretërisë atje, si dhe do të rinovojë sistemin e mbrojtjes tokë-ajër, i cili aktualisht pritet të dalë jashtë funksionit rreth vitit 2020, tha Fallon. Mbretëria e Bashkuar pritet të investojë gjithashtu 180 milionë paund përgjatë dekadës së ardhshme në modernizimin e infrastrukturës, si dhe për të vijuar punën mbikëqyrëse të anijeve patrulluese detare, shtoi ai.

Numri i personelit ushtarak dhe civil nga Britania e Madhe në ishujt e diskutueshëm do të mbahet diku rreth 1200 persona.

Qeveria argjentinase pretendon zotërimin e ishujve, të cilat janë 482 km larg brigjeve të Argjentinës dhe mbi 12800 km larg Britanisë, duke përshkallëzuar fushatën për të rimarrë ato që vendi amerikano-jugor i quan “Las Malvinas”. Kjo për shkak se kërkimet për naftë dhe gaz natyror pranë tyre kanë rritur së tepërmi tensionet diplomatike.

Ambasadorja e Argjentinës në Britani, Alicia Castro, e ka kritikuar lëvizjen e fundit të britanikëve si të panevojshme, duke thënë se “nuk do të ndodhë kurrsesi një invazion”.

“Argjentina nuk është një kërcënim ndaj Britanisë së Madhe, as ndaj popullit të ishujve Malvinas”, tha ajo për një radio argjentinase. “Nuk do të ketë kurrsesi një tjetër luftë në Las Malvinas”.

Fallon tha se nuk do të donte të spekulonte mbi një raport të publikuar në tabloidin “the Sun” gjatë së martës, ku thuhej se Rusia po punonte për një marrëveshje për t’i ofruar me qira 12 bombardues me rreze të gjatë Argjentinës. “Kërcënimi në parim ndaj ishujve ekziston, ashtu sikurse dhe pretendimi i pajustifikueshëm i Argjentinës për pronësinë e tyre”, tha ai.

Top Channel