Maqedoni, debate mbi dy projektligjet kontroverse: letërnjoftimet dhe banesat

24/03/2015 00:00

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ata të VMRO-DPMNE-së, përmes bisedimeve po mundohen të tejkalojnë dallimet që kanë rreth projektligjeve për banesat dhe letërnjoftimet. Këtë e ka bërë të ditur deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti. Sipas tij, dy partitë që përbëjnë shumicën në Kuvend kanë dallime të thella rreth këtyre dy projektligjeve të propozuara nga qeveria.

“Ne nuk flasim për amendamente, por flasim për faktin që jemi në bisedime me partnerët e koalicionit për të tejkaluar dallimet. Sa i përket atij projektligji, ne kemi pasur vërejtjet tona konceptuale dhe u qëndrojmë vërejtjeve tona. Po bisedohet me partnerët e koalicionit në këtë drejtim”, tha Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.

Por, Partia Demokratike Shqiptare në opozitë akuzoi deputetët e BDI-në, se po bëjnë lojë të dyfishtë për të mashtruar shqiptarët. Gazmend Aliu nga PDSH-ja tha se projektligjet, që kundërshtohen në Kuvend nga deputetët e BDI-së, janë hartuar në qeveri pikërisht nga ministrat e kësaj partie.

“BDI-ja vazhdon me sistemin e saj të vjetër të punës. Ministrat e BDI-së ‘vrasin’ natën, ndërsa deputetët e së njëjtës forcë politike qajnë ditën. Grupi parlamentar i BDI-së, në vend që të kërkojë llogari nga ministrat e tyre për këto ligje skandaloze, mundohen të aktrojnë, t’i kamuflojnë këto ligje antishqiptare, bëjnë kurthe antikombëtare, bëjnë zhurmë kot”, tha Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

PDSH kërkon, që këto dy projektligje të tërhiqen urgjentisht nga procedura parlamentare, pasi vlerëson se, nëse ato do të miratohen, nga Maqedonia do të çregjistrohen mbi 200 mijë shqiptarë në mërgim.

Projektligji i qeverisë për banesat nxiti kundërshtime të shumta, pasi me të parashikohet që personat, të cilët për më shumë se tre muaj jetojnë jashtë vendit, të humbasin të drejtën e vendbanimit në Maqedoni.

Nga ana tjetër, teksti i projektligjit për letërnjoftimet, që parasheh dhënien e këtij dokumenti në çdo qytet të Maqedonisë pavarësisht adresës së banimit, tek analistët ka ngjallur dilema se sillet për t’i hapur mundësinë manipulimeve zgjedhore.

Top Channel