Marrëveshja detare me Greqinë, PDIU: Të miratohet ligji për kufijtë detarë

24/03/2015 00:00

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot ndaj diskutimeve të ditëve të fundit, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit grek në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare dhe i ka kërkuar Qeverisë Shqiptare të qartësojë publikisht pozicionin e saj.

“Ditët e fundit jemi njohur me një diskutim të zhvilluar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit grek në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare. Prej atij diskutimi, që përfshinte ministrin e ri të Jashtëm dhe përfaqësues të disa partive ekstremiste dhe fashiste greke, PDIU beson se ka ardhur momenti të vendosen pikat mbi ‘I’ për disa çështje”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.

PDIU-në “nuk e shqetëson retorika dhe ëndrrat e çmendura të qarqeve shoviniste e fashiste greke, sa kohë që ato izolohen dhe nuk bëhen politikë zyrtare e shtetit fqinjë”, por i interesojnë “qëndrimet e diplomacisë sonë, në lidhje me disa çështje të rëndësishme që mbeten pezull në marrëdhëniet midis dy vendeve, veçanërisht ajo e përkufizimit të kufijve detarë”.

Për PDIU-në është inkurajuese të dëgjojmë lajme se Greqia zyrtare mund ta rishikojë pozicionin e saj për njohjen e Kosovës, por mbetet zhgënjyes fakti se kjo njohje mund të shkëmbehet me pranimin e Marrëveshjes së detit. “Ky shkëmbim do të ishte pranim i drejtpërdrejtë, edhe nga ana e Greqisë, i faktit se me Marrëveshjen e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, Greqia përfitonte territor shqiptar. Pra, Greqia synon të bëjë pazar me këtë territor, por ne nuk mund ta pranojmë pazarin”, thotë PDIU.

Top Channel