Cvitan takon ministrin Naço dhe deputetët e PD-së, Halimi dhe Bylykbashi

24/03/2015 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, Dinko Cvitan, gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, ka vënë theksin tek proceset reformuese të sistemit të drejtësisë dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit midis organeve ligjzbatuese mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

Kryeprokurori Cvitan vuri theksin në rëndësinë e një kuadri të plotë ligjor duke vlerësuar mbi të gjitha edhe integritetin e individëve që janë pjesë e sistemit, por shtoi se “realizimi i disa proceseve me rëndësi të madhe nuk mund të ndodhë brenda natës, por vullneti dhe dëshira e mirë do të sjellin rezultate”.

Ministri Naço ka vlerësuar faktin se tashmë pjesa më e madhe e prokurorëve shqiptarë kanë dalë nga Shkolla e Magjistraturës, fakt që lidhet drejtpërdrejtë me ngritjen e një baze solide dhe të konsoliduar në përbërjen e këtij insitucioni.

Më pas, Kryeprokurori kroat u takua në selinë e Partisë Demokratike me deputetët Eduart Halimi dhe Oerd Bylykbashi. Nga ana e tij, Halimi u shpreh se fatkeqësisht Shqipëria nuk po ndjek rrugën e BE-së për forcimin e institucioneve, por vetëm kapjen e tyre për t’i pasur si fasadë. Po ashtu, përfaqësuesit e Partisë Demokratike paraqitën përpara Kryeprokurorit Cvitan edhe shqetësimin se ngritja e Byrosë së hetimit, jo pranë prokurorisë, si institucion i pavarur, por nën varësinë e ministrit, njëkohësisht kryetar i PS-së për Tiranën, nuk jep garanci për pavarësinë dhe besueshmërinë e hetimeve, por për perdorimin politik të këtij instrumenti.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë theksoi se është shumë e rëndësishme që institucionet të kenë në krye njerëz me integritet dhe që politika të rrijë larg atyre. Vetëm qëndrimi i institucioneve të pavarura dhe larg ndikimit politik dhe vullneti i hekurt i të gjitha palëve është çelësi i suksesit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, u shpreh Kryeprokurori kroat.

Top Channel