“Tri dritare dhe një varje”, filmi që rrëfen dramën e përdhunimeve

24/03/2015 00:00

Përdhunimet makabre të grave gjatë luftës së Kosovës përpiqen të groposen nga mentaliteti, por artit nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.

Në kohën kur të gjithë flasin nën zë për pasojën e rëndë të viteve ’98-’99, filmi “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja ka mundur të dalë kundër tabusë e t’u tregojë të gjithëve dramën e patreguar kosovare.

Filmi, me skenar të Zymer Kelmendit dhe me aktorë Irena Cahani, Luan Jaha dhe Donat Qosja, ka si subjekt historinë e Lushes, një mësuese fshati, që jeton në një fshat tipik patriarkal në Kosovë.

Përditshmërinë e saj dramatike ajo e thyen, kur i tregon një gazetareje të huaj se ishte përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës dhe, së bashku me të ishin dhe tre gra të tjera të fshatit. Lajmi përhapet shpejt dhe të gjithë banorët përpiqen t’i mbyllin asaj gojën, duke e kërcënuar se nëse do të tregonte emrat e tjerë, ata do ta dëbonin.

Guximi i saj për të mos heshtur dhe, më pas persekutimi i shoqërisë, e çojnë atë në vetëvrasje. Filmi “Tri dritare dhe një varje” ka fituar 25 çmime ndërkombëtare prestigjioze.

Edhe kinematografia boshnjake i ka dedikuar një film fenomenit, gjithashtu të njohur për femrat e tyre, atë të përdhunimit nga forcat serbe gjatë luftës në vitet 1992-1995. Me titullin “Grbavica”, filmi i regjisores dhe skenaristes boshnjake, Jasmila Zbanic, fitoi “Ariun e Artë” në vitin 2006, në Berlinale.

Ai bazohet në historinë e vërtetë të një gruaje të dhunuar, që në film mban emrin Esma. Ajo është një nënë beqare, që jeton në Sarajevë me vajzën 12-vjeçare, e cila është rritur me gënjeshtrën se babai i saj ka vdekur duke luftuar dhe se është një hero. Bota e vajzës përmbyset, kur ajo mëson se është një viktimë përdhunimi dhe se i ati ka qenë një ushtar serb, që ka përdhunuar Esmën në kohën kur ajo ka qenë në një kamp lufte.

Gjatë marrjes së çmimit, regjisorja Zbanic risolli në vëmëndje se Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç nuk u dënuan kurrë për politikat e përdhunimit të 20 mijë grave muslimane në Bosnje.

Top Channel