“Shqipëria nuk arrin afatin e dixhitalizimit”

24/03/2015 00:00

Shqipëria nuk mundet ta kapë afatin e përcaktuar nga Komisioni i Gjenevës për të përfunduar procesin e dixhitalizimit në qershor të këtij viti.

Kryetari i Komisionit të AMA-s, Genti Sala, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Medias dhe Arsimit, tha se ky proces do të nisë si fillim në qendrat më të mëdha urbane, në Tiranë dhe në Durrës.

“Afati për fat të keq nuk kapet, por do të bëjmë ç’është e mundur për të nisur procesin në zonat urbane, që nënkuptojnë në Tiranë dhe Durrës, ku numri i popullsisë është shumë i lartë. Më pas, me hapa të përcaktuar, të vazhdojmë edhe në zonat e tjera”, tha zoti Sala.

Por, mbledhja e AMA-s nuk ka qenë e qetë. Mes kryetarit të Komisionit të Medias, Genc Pollo, dhe kreut të AMA-s, Genti Sala, pati debate lidhur me zgjedhjen e kreut të AMA-s.

Pollo tha: “Ndërsa përmend punësime në institucione dhe ndërmarrje të ndryshme, nuk e përmend punësimin tuaj pranë operatorit të platformës dixhitale, çka përbën një mostregim të së vërtetës nga ana juaj.”

Përgjigja e Salës ishte kjo: “Unë me zotin Pollo, i cili thotë se kam mashtruar me CV-në time, do të takohem në gjykatë. Mbaj përgjegjësi penale për deklaratat e mia. Në këtë vend duhet të mësohemi që të mbajmë përgjegjësi të gjithë.”

Kaq ka mjaftuar që opozita të braktisë seancën e komisionit, ku kreu i AMA-s ishte i ftuar për të raportuar për punën e një viti të institucionit që ai drejton.

Seanca ka vijuar nën drejtimin e nënkryetarit Alfred Peza.

Top Channel