KE publikon konkluzionet e takimit të pestë: Bashkëpunimi në Kuvend është thelbësor

24/03/2015 00:00

Disa orë pas përfundimit të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, Komisioni Europian publikoi 13 konkluzione për këtë takim të pestë të një formati të tillë. Në pikën 2 të këtij dokumenti thuhet:

“Pjesëmarrësit pranuan se, sfidat e së ardhmes në këtë proces kërkojnë përpjekje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme nga Shqipëria. Komisioneri Hahn theksoi se konsolidimi i realizimit të reformave të qëndrueshme, sipas 5 prioriteteve, janë thelbësore për përparimin drejt BE-së. Ato do të jenë subjekt i një vëzhgimi të rreptë nga BE-ja”.

Konkluzioni i tretë lidhet me punën e Parlamentit.

“Komisioneri Hahn nënvizoi se puna konstruktive në Parlament, mes qeverisë dhe opozitës, është esenciale për qëndrueshmërinë e procesit të reformave europiane. Ai theksoi rëndësinë e respektimit dhe të zbatimit të marrëveshjes së dhjetorit, e cila i dha fund bojkotit parlamentar”.

Për reformën në drejtësi jepet ky konkluzion.

“Komisioneri Hahn përshëndeti progresin e arritur nga Shqipëria për reformën në drejtësi, si dhe themelimin e Komisionit parlamentar për këtë reformë. U ra dakord, që Komisioni Europian do të informohet për punën dhe arritjet e këtij komisioni. Gjithashku, komisioneri nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në këtë proces, nën këshillimin e Komisionit të Venecias”.

Ndërsa në konkluzionin e gjashtë flitet për Administratën Publike, për të cilën komisioneri Hahn ka kërkuar zbatim të ligjit për Shërbimin Civil dhe se, çdo amendim i ligjit duhet t’i shërbejë objektivit për depolitizimin e Administratës Publike.

Komisioneri – thuhet në konkluzionin e tetë – përshëndeti vendosmërinë e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit në Dialogun e Nivelit të Lartë – thuhet në konkluzionin numër 9 – përshëndetën po ashtu edhe vendosmërinë e qeverisë në luftën kundër trafikut të drogës, si dhe rritjen e numrit të operacioneve për identifikimin dhe shkatërrimin e kultivimit të narkotikëve. Por, kërkohet që bashkëpunimi midis agjencive ligjzbatuese duhet të forcohet për të rritur efikasitetin e investigimeve.

Vetë komisioneri Hahn, pak përpara largimit nga Tirana, nëpërmjet një komenti në Twitter thotë: “Një Dialog i Nivelit të Lartë i mirë, nga ku u tregua vendosmëri e qartë prej qeverisë dhe opozitës për ta çuar Shqipërinë më afër me BE-në”.

Top Channel