“Njësia kreative” për qytetin e Korçës, ide për përmirësimin e jetës së komunitetit

24/03/2015 00:00

Në një format ndryshe, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo ka ftuar të rinjtë e qytetit për të dhënë ide dhe sugjerime për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke lançuar projektin e quajtur “Njësia kreative”.

“Projekti më i fundit i Bashkisë është një projekt shumë i rëndësishëm dhe është ai i njësisë së zgjidhjeve kreative. Kjo është një njësi e re, të cilën Bashkia e Korçës do ta krijojë së shpejti, me një grup prej 5 të rinjsh të kualifikuar, ambiciozë dhe me pasion, të cilët do të kenë do të kenë për detyrë të shohin mënyrën sesi Bashkia e Korçës ofron shërbimet e saj ndaj qytetarëve. Ata propozojnë mënyra, ide inovative sesi këto shërbime mund të përmirësohen, që të bëhen më të aksesueshme nga qytetarët, më të lehta e më të pranueshme nga ana e tyre”, tha Sotiraq Filo.

Nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe punës në terren, “Njësia kreative” do të sjellë ide inovative, të cilat do të transformohen në shërbime të reja dhe në përmirësim të shërbimeve aktuale. Aplikimet në portalin e Bashkisë Korçë, lidhur me këtë nismë, kanë filluar dhe do të zgjasin deri në datën 6 Prill.

Top Channel