Obama pret Ghanin, dakordësi për të ngadalësuar tërheqjen e trupave

24/03/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama është takuar gjatë së martës me homologun e tij afgan, Ashraf Ghani, me të cilin ranë dakord që të mbajnë rreth 9800 trupa amerikane në vendin e lindjes deri në fund të këtij viti, duke ngadalësuar kështu tërheqjen e planifikuar të amerikanëve.

Obama tha se do t’i qëndrojë planit aktual për të mbyllur bazat e mbetura amerikane dhe për të konsoliduar forcat amerikane në Kabul deri në fund të vitit 2016, duke i dhënë kështu fund luftës më të gjatë në historinë e Amerikës.

“Kjo vizitë është një mundësi e mirë për të nisur një kapitull të ri në partneritetin mes dy kombeve tona”, tha Obama. “Kemi rënë dakord të ruajmë bashkëpunimin tonë për sigurinë. Afganistani mbetet ende një vend tepër i rrezikshëm”.

Takimi në Zyrën Ovale erdhi teksa administrata amerikane është duke diskutuar në lidhje me numrin e trupave që duhen lënë në Afganistan, përpara se t’i japin fund misionit 14-vjeçar deri në janar të vitit 2017. Zëvendëspresidenti Biden dhe shefi ekzekutiv afgan, Abdullah Abdullah, morën pjesë gjithashtu në disa prej diskutimeve të nivelit të lartë.

Përpara takimit, Shtëpia e Bardhë tha se dyshja në fjalë do të “diskutonin një sërë çështjes, përfshi sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen amerikane për procesin e pajtimit të udhëhequr nga afganët”.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë njoftoi gjatë majit të kaluar një plan për të tërhequr trupat amerikane prezente në Afganistan, duke lënë më pak se 10 mijë trupa deri në fund të 2014-s, dhuna gjithnjë e në rritje dhe trazirat politike pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar në Afganistan, e bindën administratën “Obama” që të shtynte afatin e tërheqjes.

Ashtu sikurse Ghani, edhe zyrtarët ushtarakë amerikane kanë nxitur ngadalësimin e tërheqjes së trupave amerikanë. Kërkesat e tyre janë bazuar kryesisht nga rritja e numrit të të vdekurve mes civilëve afganë dhe forcave të sigurisë gjatë vitit të kaluar.

Menjëherë pasi u shfaqën Obama dhe Ghani, disa ish-ambasadorë amerikanë në Afganistan dhe ish-zyrtarët e lartë të administratave “Obama” dhe “Bush”, bënë publike një letër të hapur drejtuar presidentit të SHBA-ve, duke i bërë thirrje atij të rikonsideronte planet e tij për t’i dhënë fund luftës.

“Një tërheqje e plotë ushtarake e Amerikës nga Afganistani deri në fund të 2016-s do të vendosë në rrezik në mënyrë të panevojshme të gjitha arritjet e vështira përgjatë 13 viteve të fundit, të cilat kanë ardhur kryesisht për shkak të sakrificave të mëdha të ushtarëve amerikanë, diplomatëve, oficerëve të zbulimit dhe të profesionistëve për zhvillim”, thuhej në letër.

Administrata amerikane synonte fillimisht të reduktonte numrin në 5500, në fund të këtij viti. Por, zyrtarët amerikanë kanë qenë të bindur se objektivi i përgjithshëm nuk ka ndryshuar. Presidenti është i vendosur ta lërë zyrën e forcave amerikane me më pak se 1000 veta personel ushtarak në Afganistan, të vendosur në zyrën për bashkëpunimin për siguri në Kabul.

Top Channel