Një skuadër futbolli shpëtoi në momentin e fundit nga tragjedia ajrore në Francë

24/03/2015 00:00

Një skuadër futbolli në kategorinë e tretë suedeze, Dalkurd FF, ka shpëtuar për mrekulli nga aksidenti ajror që i mori jetën 150 personave në Alpet e Francës. Ekipi modest vendosi të mos merrte avionin vetëm në momentet e fundit, kur të gjithë lojtarët ishin tashmë në aeroportin e Barcelonës.

Sipas ‘L’Equipe’, lojtarët kishin kaluar disa ditë grumbullimi në qytetin spanjoll dhe kishin bileta për udhëtimin nga aeroporti i Pratit në Dyseldorf. Nga aty, do të merrnin një tjetër avion që do i dërgonte në Suedi.

Fatmirësisht, lojtarëve nuk i pëlqeu pritja e gjatë në aeroportin e Dyseldorfit dhe vendosën që t’i ndërronin biletat që kishin për avionin e Germanwings me vendet e fundit të disponueshme në tre fluturime me destinacion Mynihun.

“Për të gjithë ata që janë munduar të na kontaktojnë gjatë orëve të fundit: jemi shëndoshë e mirë në shtëpitë tona”, shkroi në Twitter portieri i Dalkurdit, Frank Pettersson.

Drejtori sportiv i klubit, Adil Kizil, tha: “Kishte katër avionë që u nisën në të njëjtën orë dhe që kaluan mbi Alpe. Katër avionë dhe ne kishim lojtarët tanë në 3 prej tyre. Kemi pasur shumë, shumë fat.”

Top Channel