Dialogu Shqipëri-BE, a do të vijë në vjeshtë rekomandimi për hapjen e negociatave?

25/03/2015 00:00

Në Tiranë u mbajt raundi i pestë i dialogut të niveli të lartë Shqipëri-BE. E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha foli në lidhje me atë se çfarë prodhoi ky takim, por dhe për rekomandimin për hapjen e negociatave.

Ajo vlerësoi si një sukses tepër të rëndësishëm edhe dialogun mes mazhorancës dhe opozitës në këtë takim.

Pandi Gjata: Ishte takimi i pari i këtij dialogu me një Komisioner të ri, me zotin Hahn, ndërsa takimi i fundit ka qenë më ish-Komisionerin Fule. Çfarë prodhoi ky raund i ri i dialogut mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian?

Klajda Gjosha: Takimi i pestë i dialogut të nivelit të lartë ishte me të vërtetë i një rëndësie shumë të veçantë. Në radhë të parë Komisioneri Hahn vinte për herë të parë në Shqipëri dhe e dyta ne kishim një platformë paksa ndryshe nga dialogu i nivelit të lartë i mëparshëm. Këtë radhë ne patëm vetë kontributin e dhënë nga Komisioneri Hahn, Kryeministri Rama, të cilët bashkë-drejtuan formatin. Më pas kontributi kryesor u dha nga unë dhe zonja Bregu, si kryetare të Komisionit të Integrimit. Mund të them që ishte tejet i suksesshëm edhe për diçka shumë të veçantë që nuk ka ndodhur më parë, dialogu mes mazhorancës dhe opozitës ishte me të vërtetë i admirueshëm. Jo se kishte diçka ndryshe, sepse aty flitet për 5 prioritetet, arritjet që ka pasur Shqipëria dhe çfarë duhet të ndërmarrë më tej. Por për ne ishte një arritje shumë e madhe, pasi dialogu u mirëprit jashtëzakonisht mirë si nga pala e mazhorancës, ashtu edhe nga Komisisioni Europian.

Pandi Gjata: E rëndësishme është që ajo sherrnajë e përditshme që është acaruar në Tiranë nuk u reflektua në këtë dialog të nivelit të lartë apo ajo që ndodhi ditë më parë në takimin e parlamentarëve europianë dhe atyre shqiptarë…

Klajda Gjosha: Absolutisht jo. Kjo është në fakt ajo ku duhet të shkojë Shqipëria dhe çfarë duhet të paraqes ajo, imazhi që ne duhet të tregojmë te ndërkombëtarët dhe sidomos te Komisioni Europian që në njëfarë mënyre edhe e vlerëson Shqipërinë për arritjet e saja. Por mbi të gjitha ne vlerësohemi shumë edhe për dialogun që kemi. Shpesh herë ata përmendin për një konsensus që ne duhet të kemi mes palëve dhe pikërisht sot maturia e treguar nga të dyja palët, unë mendoj që e ka ngritur Shqipërinë në një nivel më të lartë.

Pandi Gjata: Në fund të këtij takimi kishte 13 konkluzione me fokus 5 prioritetet kyçe që ka Shqipëria. Brukseli thotë se do të ketë një vëzhgim të ri për këto 5 prioritete, ndërkohë që nga fjala e Kryeministrit Rama u tha që në vjeshtë ne do të japim përgjigjen për këto 5 prioritete. A do të thotë kjo që në këtë periudhë ne do t’i kemi përmbushur të pesta këto pika kyçe?

Klajda Gjosha: Unë kam qenë në studion tuaj disa herë për të folur për 5 prioritetet, për të folur edhe për një dokument shumë të rëndësishëm që qeveria ka prodhuar vitin që shkoi, siç ishte edhe udhërrëfyesi i 5 prioriteteve. Rëndësia e këtij udhërrëfyesi është që sa e thjeshtë është për t’i ndërmarrë këto iniciativa, aq e vështirë është edhe për të parë sa ato janë implementuar. Është bërë një punë shumë e madhe, tashmë është pjesa e mbetur që e çon Shqipërinë drejt hapjes së negociatave, por jo vetëm. Ajo që unë thash më parë, pjesa e implementimit do të shkojë edhe përtej procesit të negociatave. Kryefjala e të gjithë takimit të sotëm ishte shteti ligjor dhe reforma në drejtësi.

Pandi Gjata: Kur Kryeministri tha që përgjigjen do ta japim në vjeshtë, ku ne kemi edhe përgjigjen e progres-raportit të radhës…

Klajda Gjosha: Ajo që ai donte të thoshte është pikërisht plotësimi i udhërrëfyesit me të gjitha kërkesat bazë për 5 prioritetet.

Pandi Gjata: Pra, kur ne të përgjigjemi në vjeshtë…

Klajda Gjosha: Shqipëria në muajin shtator dorëzon të gjitha imputet për progres-raportin. Mbi këtë bazë Brukseli nxjerr progres-raportin që është edhe dokumenti zyrtar i Komisionit Europian mbi vlerësimin e vendit tonë.

Pandi Gjata: A mendoni se brenda këtij progres-raporti të radhës për Shqipërinë do të jetë edhe rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësimin?

Klajda Gjosha
: Unë këtë nuk mund ta them, sepse kjo do të jetë në vlerësimin e Komisionit Europian. Por unë them me bindje se së bashku me Kryeministrin Rama, por edhe nga opozita, kemi pasur thirrje kundrejt Komisionit Europian për ta dhënë këtë rekomandim. Ne besojmë që vendi jo vetëm ka bërë disa arritje kyçe, por ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur edhe çështjet e tjera të cilat janë në vazhdimësi.

Pandi Gjata: Sa na dëgjojnë në Bruksel? Aq më tepër sot, kur mazhoranca dhe opozita kanë bërë një thirrje të përbashkët.

Klajda Gjosha: Vlerësohet shumë fakti që zëri është i përbashkët kur vjen puna për çështjet e procesit të integrimit. Kjo është diçka që vlerësohet shumë dhe që nuk ndodh në çdo vend. Gjithmonë ka një parti politike apo një grup njerëzish që tentojnë të dalin kundër procesit të integrimit dhe kjo ndodh edhe në vendet e rajonit.

Pandi Gjata: A kemi një parashikim se kur do të çelen negociatat për anëtarësimin në BE?

Klajda Gjosha: Është e pamundur që ne të flasim për data. Kjo për arsye se janë dy procese paralele, reformat që ndërmerr vendi dhe klima favorizuese, tepër e nevojshme që duhet të jetë nga të gjitha vendet anëtare, në mënyrë që edhe ata të japin votën e tyre.

Pandi Gjata: Nga zhvillimet rajonale, por edhe gjeopolitika, gjithashtu edhe prezantimi i Shqipërisë në një sërë eventesh në kuadrin ballkanik, por edhe më gjerë, a mendoni se i kemi rritur kredencialet tona në sytë e ndërkombëtarëve, pavarësisht debateve për zgjerimin, për problematik të brendshme? A mendoni se jemi me kredenciale të rritura?

Klajda Gjosha: Për sa i përket çështjeve të brendshme, unë do të thosha që shpesh herë Brukseli është tejet indiferent ndaj politikës së brendshme apo konflikteve partiake. Ajo që është e rëndësishme në këto kohë është që Shqipëria ka treguar që ka një rol tejet të rëndësishëm në rajon. Po mundohemi të kemi projekte të përbashkëta me Serbinë, Malin e Zi apo Maqedoninë. Pra është një bashkëpunim i frytshëm dhe që vjen edhe nga një rol i rëndësishëm dhe tepër paqësor që ofron vendi ynë dhe qeveria.

Pandi Gjata: Të shpresojmë që bashkëpunimi dhe roli të jetë konstruktiv dhe këtu në Tiranë kur flitet për çështje të rëndësishme, pasi edhe në rekomandimet që kishte në fund të tryezës ishte thelbësore bashkëpunimi i Parlamentit, mazhorancës dhe i opozitës.

Klajda Gjosha: Ajo çka unë do të thosha është përtej debateve partiake. Është e rëndësishme që kur flasim për reforma, ta cilat ndryshojnë vendin në mënyrë thelbësore, patjetër që qeveria dhe opozita duhet të ulen bashkë. Mund të kemi kontradikta, por gjithmonë është mirë që të jemi konstruktiv në debatet me njëri-tjetrin. Kjo është edhe rëndësia e pikës së vendosur në një nga konkluzionet e dialogut të nivelit të lartë, por jo vetëm. Kur vjen puna për procesin e integrimit dhe për procesin e zhvillimit të vendit më tej, unë them që të dyja palët duhet të jenë bashkë pavarësisht problemeve të brendshme partiake.

Top Channel