Kosovë, vritet agjenti i Krimit Ekonomik; konflikte pronësie me të afërmit

25/03/2015 00:00

Oficeri i seksionit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Shemsi Gashi u vra të mërkurën rreth orës 7 të mëngjesit, në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

Viktima, 61 vjeç, u vra me armë zjarri, ndërkohë që menjëherë më pas filluan bastisjet në dy lokacione të ndryshme të kryeqytetit. Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni konfirmoi arrestimin e tre personave.

“Vlerësimet e para që mora nga policia janë se ka një mosmarrëveshje dhe hetimet janë duke vazhduar. Janë tre arrestime të kryera, ndërsa ka edhe disa pista të tjera që janë duke u hetuar”, tha Hyseni.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se policia ka marrë në pyetje disa persona që mund të kenë lidhje me rastin.

“Bastisjet kanë përfunduar dhe aktualisht policia është në fazën e marrjes në pyetje të disa personave, të cilët për momentin gjenden në stacione policore. Janë këto intervista që po bëhen ndaj këtyre personave, qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo edhe në cilësi të tjera, të cilat mund të ndërlidhen konkretisht me veprën”, tha Borovci.

Pista e hetimeve nuk bëhet e ditur zyrtarisht, por Top Channel ka mësuar nga familjarët e viktimës se shtëpitë që u bastisën i përkisnin të afërmve të policit të vrarë dhe se bëhet fjalë për konflikte pronësie. Të njëjtat burime kanë pohuar se mes viktimës dhe familjarëve të tij ka pasur edhe më parë konflikte të kësaj natyre.

Nga njëra prej shtëpive të bastisura agjentët e policisë ka marrë një kompjuter dhe disa dokumenta. Ndërsa trupi i Shemsi Gashit është dërguar për autopsi në morg, prej nga pritet raporti përfundimtar.

Top Channel