Itali-Shqipëri, arrestohen anëtarët e celulës që dërgonte xhihadistë në Siri

25/03/2015 00:00

Një operacion antiterrorizëm i forcave italiane të rendit, në
bashkëpunim me ato shqiptare, shkatërroi një celulë ekstremistësh
islamikë, simpatizantë të ISIS-it, që propagandonin rekrutime të reja.

Ne Itali u arrestuan dy persona, një shqiptar dhe një shtetas italian me origjinë marokene, ndërsa Policia Shqiptare arrestoi një xhihadist në Kavajë. Që të tre rezultojnë të kenë qenë në kontakte telefonike dhe kane biseduar edhe ne rrjete sociale, duke bashkëpunuar të tre për rekrutime. Marokeni, sipas provave te Policisë Italiane, ka shkuar të luftojë në Siri dhe rezulton të ketë kryer udhëtime në Shqipëri.

Siç raportoi gazetarja e Top Channel në Romë, Irida Cami, operacioni, që është kryer mëngjesin e të mërkurës, vjen pas hetimeve dyvjeçare në zonat veriore të Brescia-s e Torino-s, ku është arrestuar një prej shtetasve shqiptarë. Akuza për të arrestuarit është ‘rekritim me qëllim terrorizmi dhe propagandim i krimeve të terrorizmit’.

Shtetasi italian, me origjinë marokene, mendohet se është një prej autorëve të nje teksti prej 64 faqesh, që u publikua në internet kohët e fundit në italisht. Dokumenti mban titullin “Shteti Islamik, një realitet që do të komunikojë” dhe konsiderohet nga hetuesit si dokumenti i parë i ISIS-it në gjuhen italiane.

Gjatë hetimeve, të tre personat janë mbajtur në vëzhgim për rekrutimet që kryenin dhe disa prej tyre edhe janë ndaluar. Marokeni konsiderohet si personi me rolin kyç në këtë celulë.

I arrestuari në Shqipëri është 38-vjeçari Alban Haki Elezi, lindur dhe banues në fshatin Rrakull të Kavajes. Arrestimi i tij u bë nga Policia e Kavajës dhe nga strukturat e Interpol Tiranës. Pavarësisht se 38-vjeçari ka qenë nën vëzhgim, nuk rezulton të ketë kryer rekrutime në Shqipëri, ndaj arrestimi i tij u krye për llogari të Interpol Romës, pasi Gjykata e Brescia-s në Itali kishte nxjerrë një vendim ndaj këtij shtetasi, i dyshuar si autor i veprës penale “akte terroriste”.

Një burim i Drejtorisë së Antiterrorit tha për Top Channel, se i arrestuari në Kavajë ka qenë në rolin e një ndihmësi për rekrutimet, ndërsa i afermi i tij në Itali ishte një person i dyshuar për rol organizativ në këtë celulë. Sipas policisë, vjehrri dhe vjehrra e Elezit janë në Siri, ndërsa kunati i tij ka humbur jetën duke luftuar ne radhët e Ushtrisë Islamike. Në kërkim janë edhe dy persona të tjerë. Familja e Alban Elezit ndodhet prej kohësh në Siri, e larguar më parë nga Shqipëria dhe është bërë pjesë e ISIS-it.

Top Channel