Sa të rrezikshëm janë avionët?

25/03/2015 00:00

Edhe pse fatkeqësi të tilla i bëjnë shumë njerëz të mendohen dy herë përpara se të zgjedhin udhëtimin me avion, ekspertët këmbëngulin se ai është në fakt mjeti më i sigurtë i qarkullimit.

Nëse i referohemi statistikave, një pohim i tillë mund të konsiderohet fare i drejtë. Shifrat tregojnë se raporti i viktimave është 0,23 përqind për një milion fluturime. Por, vetëm një ditë pas tragjedisë në alpet franceze, një Boing 737 me 78 pasagjerë plus anetarët e ekuipazhit bëri ulje emergjence në aeroportin kryesor të qytetit të dytë më të madh të Rusisë, Shën Pjetërburg pasi njëri prej motorëve reshti së funksionuari.

Atëherë, sa i sigurtë është rrugëtimi me avion? Mund të kesh udhëtuar me dhjetëra herë, por siguria përbën gjithmonë një burim shqetësimi. Kjo është arsyeja përse një mënyrë e tillë transporti i nënshtrohet gjithmonë kontrolleve të imtësishme, hetimesh e monitorimi. Por, ka disa fakte mbi udhëtimin ajror, nje nga të cilat ngre më shumë pyetje. Përse, kur kontrollet janë shtuar kaq shumë, viti 2014 rezulton të jetë viti me numrin më të madh të aksidenteve në të gjithë historinë e transportit ajror?

Bilanci i viktimave nga rrëzimi i avionëve në këtë vit është 970. Tre fatkeqësitë me më shumë viktima qenë të lidhura me një shoqëri të vetme fluturimi: Malaysia Airlines. Nga ana tjetër, po për të njëjtën periudhë kohe, në të gjithë globin u transportuan rreth 3,3 miliardë pasagjerë, të dhëna këto të ofruara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror e kjo i përgjigjet një rritjeje me 170 milionë bileta.

Shumica e viktimave të transportit civil ajror në Gjermani përgjatë 40 viteve të fundit janë shënuar në vitin 2002, kur nga rrëzimi i avionëve humbën jetën 118 vetë. Katastrofa më e madhe ajrore europiane mbetet ajo e 27 marsit 1977, kur në aeroportin e Tenerifes në Spanjë, një avion i shoqërisë KLM u përplas me një avion të shoqërisë Pan-Am që ishte në pistën e nisjes, aksident ky që shkaktoi 583 të vdekur.

Një tjetër fakt që nuk i shpëton vëmendjes është edhe përfshirja më e rrallë e linjave të mëdha ajrore në fatkeqësi të tilla. Shifrat tregojnë se kuotën më të lartë të aksidenteve e kanë shoqërite e vogla ajrore me avionë më të vegjël.

Top Channel