Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Ministria e Mbrojtjes dhe ambasadat
Hungareze e Austriake përkujtuan një nga tragjeditë më të mëdha në
historinë e Flotës Austro-Hungareze, humbjen e vaporit ushtarak LINZ, në
marsin e vitit 1918.

Ceremonia përkon me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe Konventës së UNESCO-s mbi përkujtimin e tragjedive të kësaj lufte.  

“Ata nuk ishin vetëm hungarezë, por rumunë, gjermanë, më shumë se 200 rob lufte. Eshtë një ngjarje ndërkombëtare. Lavdi viktimave, lavdi heronjve që janë këtu me ne sot!”, tha përfaqësuesi i ambasadës hungareze.

“Pas 100 vitesh ne kemi një situatë në rajon pa konflikte. Nuk është diçka e vetëkuptueshme, por të gjithë duhet të përpiqemi të garantojmë këtë stabilitet”, tha përfaqësuesi i ambasadës austriake.

“Përpos pjesës humane të përkujtimit të kësaj tragjedie të madhe unë mendoj se kjo ka shumë rëndësi edhe për pjesën e kulturës dhe trashëgimisë tonë historike”, tha Auron Tare.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u shndërrua ne shesh betejash midis palëve ndërluftuese, ndërsa në hapësirën detare shqiptare u mbytën një sërë anijesh ushtarake, por për të cilat nuk ka ende një hartë të saktë të vendodhjes. LINZ është një prej anijeve të mbytura në këtë hapësirë dhe tragjedia e saj është cilësuar si më e madhe se ajo e Titanikut.

Në bordin e LINZ ishin mbi 1000 persona prej të cilëve marinarë, ushtarë dhe civile të Kryqit të Kuq, të cilët po transportoheshin në frontin ushtarak shqiptar nga Mali i Zi. E nisur nga porti austro-hungarez i Rijekës,LINZ u ndal në Zelenika një port afër Kotorrit, për të vazhduar më tej në Durrës, porti kryesor i ushtrive austro-hungareze.

Anija në pronësi të të famshmes ‘Lloyd Austria’ ra në mina detare, jo më larg se 3.7 milje detare nga Kepi i Rodonit dhe u mbyt brenda 25 minutash, sipas dëshmitarëve të paktë, që i mbijetuan kësaj tragjedie. 

Top Channel