Kërkimet për avionin e rrëzuar do të zgjasin. Udhëheqësit e shteteve të prekura, ngushëllime për viktimat

25/03/2015 00:00

Pjesët e shkatërruara të avionit në vendin e rrëzimit nuk janë karakteristikë e një shpërthimi në fluturim, por ato tregojnë se objekti ka rënë në pikiatë dhe është shkatërruar pas përplasjes me tokën. Ky është një nga prononcimet e para që ka bërë për mediat kreu i grupit hetimor francez, i cili po investigon mbi shkaqet e rrëzimit të avionit të “Germanwings”.

Ndërsa njëra nga kutitë e zeza e gjetur nga grupet e kërkimit nuk po çon askund. Në orët e fundit, ekspertët kanë arritur ta zbërthejnë atë, duke zbardhur disa pjesë nga regjistruesi i zërit të pilotëve. Por ende është e pamundur që të mësohet shkaku, pa pasur në duar edhe kutinë tjetër të zezë. Autoritetet ndërkaq janë duke hetuar në disa pista.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Francois Hollande
dhe kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, mbërritën së bashku në Alpet
franceze për të vizituar nga afër zonën e përplasjes së avionit të
kompanisë “Germanwings”, ku mbetën të vrarë të 150 personat në bordin e tij.

Merkel, Hollande dhe Rajoy falenderuan grupet e shpëtimit për përpjekjet e tyre në kushte të jashtëzakonshme dhe në një terren tepër të vështirë.

Njëra prej kutive të zeza është gjetur në Digne, disa qindra metra distancë nga pika e përplasjes. Avioni, një “Airbus A320” që ishte nisur nga Barcelona me destinacion Duseldorfin në Gjermani brenda tetë minutave humbi me shpejtësi lartësinë.

Operacioni i kërkimit nisi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, por terreni i thyer malor vështirëson së tepërmi përpjekjet e gjetjes së pjesëve të Airbus-it të copëtuar, ndaj zyrtarët paralajmërojnë se kërkimet mund të zgjasin disa ditë. Vendi i rrëzimit është rrëpirë e thellë mes Digne-s dhe Barcelonnette-s.

Kompania “Germanwings” tha se 72 nga 144 pasagjerët në bord ishin shtetas gjermanë dhe 35 shtetas spanjollë. Lista me viktimat e tragjedisë nuk është ende përfundimtare dhe ajo që dihet me siguri deri më tani është se mes viktimave janë edhe 16 nxënës gjermanë që ktheheshin nga Barcelona pas një programi shkëmbimi kulturor me bashkëmoshatarët e tyre spanjollë.

Top Channel