Tunizi, arrestohet celula e atentatit në muzeun Bardo

25/03/2015 00:00

Autoritetet tuniziane kanë arrestuar liderin e celulës terroriste përgjegjëse për atentatin ndaj muzeut Bardo, në kryeqytet.

Lajmin e bën të ditur sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, Rafik Chelli, sipas të cilit grupi që ka ideuar dhe realizuar planin përbëhet nga 16 persona, 2 prej të cilëve të kthyer nga territoret në luftë në Siri, ku kanë qenë përkrah xhihadistëve.

Sipas gazetës “Al Maghreb”, lideri dhe urdhëruesi i atentatit në muze është mes të arrestuarve, që në vitet e fundit ka qenë një rezident i rregullt në Belgjikë.

Gjithashtu, nga hetimet është zbuluar se celula që ka organizuar atentatin e një jave më parë është ajo e brigadës tuniziane, Okba Bin Nafaa, me në krye algjerianin Lokman Abou Sakher.

Sakher, sipas burimeve, para pak muajsh i ka deklaruar besnikërinë e tij Shtetit Islamik, pas aleancës që kishte pasur më herët me degën magrebine të Al Kaedës.

Në tërësi grupi përbëhej nga rreth 20 persona, shumica e të cilëve janë arrestuar dhe të mbeturit të identifikuar.

Kjo celulë ishte e ndarë në 4 grupe, secili me detyra të veçanta: i pari për lokalizimin e objektivave dhe mbledhjes së informacioneve; i dyti për përgatitjen e anës logjistike, furnizimit me armë dhe eksploziv; i treti për hyrjen në aksion; dhe i katërti për filmimin e atentateve dhe transmetimin e pamjeve online, për fazën e marrjes përsipër të përgjegjësisë së sulmit terrorist.

Top Channel