KLSH kallëzon në prokurori tre ish-drejtues të ALUIZNI-t në Korçë

25/03/2015 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht dy ish-drejtorë
rajonalë të ALUIZNI-t në Korçë dhe ish-përgjegjësin e sektorit të
Legalizim-Urbanizimit në të njëjtën drejtori.

KLSH bëri të ditur sot, se nga auditimi i kryer u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave ky institucion ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Korçës për 3 ish-drejtues të këtij ALUIZNI-t, për E.P. ish-drejtor, K.K. gjithashtu ish-drejtor dhe A.T. ish-përgjegjës i sektorit të Legalizim-Urbanizimit.

“Tre ish-drejtuesit kanë konsumuar elementëve të veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’. Atyre u janë konstatuar shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe çertifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.

Më konkretisht, KLSH ka konstatuar:

-Në 11 raste, ndërtimet informale janë legalizuar në zonë arkeologjike, brenda qendrës historike të qytetit të Korçës, zonë në të cilën nuk lejohet legalizimi i ndërtimeve pa miratim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku të përcaktohet se objektet nuk cenojnë zonën e mbrojtur, veprime në kundërshtim me vendimin e qeverisë për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj;

-Në 15 raste, ndërtimet informale janë legalizuar, edhe pse ndërtimi i tyre ka prekur e cënuar strukturat rrugore ekzistuese; mbi instalimet e kolektorëve të ujësjellës kanalizimeve; në zona me studim urbanistik pjesor, si dhe mbi truall në pronë të bashkisë, në kundërshtim me ligjin;

-Në 16 raste, legalizimi i ndërtimeve informale është kryer në kushtet kur subjekti ka kryer ndryshim destinacioni dhe funksioni me dëm ekonomik në vlerën prej 390,817 lekë; tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur saktë, me dëm ekonomik në vlerën prej 1,552,214 lekë, si dhe në një rast duke u kryer parcelizimi/ndarja e parcelës ndërtimore, duke lënë jashtë procesit të legalizimit një sipërfaqe të zaptuar prej 163.7 m2 për vlerën 1,093,700 lekë.

Top Channel