Ndryshon akuza për Durim Bamin, edhe ndaj tij “kallëzim i rremë”

25/03/2015 00:00

Durim Bami nuk hetohet më nën akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndryshuar akuzën ndaj të ndaluarit, që shfaqet në videon e publikuar nga deputeti Tom Doshi nga “vrasje e mbetur në tentativë” në “kallëzim të rremë”.

Në videon e publikuar nga Doshi, Durim Bami “tregonte si i ishin ofruar nga shtetasi Fatjon Skënderi 500 mijë euro për eleminimin fizik të Doshit dhe 100 mijë euro për atë të deputetit demokrat, Mhill Fufi”.

Ky është pretendimi i tij në video, por në dëshminë e tij në Prokurori, 36-vjeçari nga Fushë-Kruja ka pohuar krejt të kundërtën. Ai ka deklaruar se ka qenë i kërcënuar me armë nga Doshi në momentin e video-regjistrimit.

Akuza ndaj Bamit ndryshon pas kërkesës drejtuar Kuvendit nga Prokuroria e Përgjithshme për marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Kërkesa do të shqyrtohet këtë të Mërkurë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pas shtyrjes për t’i dhënë kohë deputetit Doshi që të njihet me dosjen e Prokurorisë.

Vetë Doshi ka rrëzuar pretendimin e prokurorëve. Avokatët e tij kanë kërkuar cilësimin si ‘nul’ të të gjithë veprimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas shpalljes së moskompetencës prej kësaj të fundit dhe dorëzimin e dosjes në Prokurorinë e Përgjithshme për marrjen e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e dy deputetëve që akuzohen për ‘sajim të ngjarjes’.

Top Channel