Gjermani, vendimi i paprecedent gjyqësor

25/03/2015 00:00

Në janar, Franck Ribery deklaroi se, nëse do të varej prej tij, do të luante me Bayern Munchen deri në moshën 97-vjeçare. Anësori francez sigurisht që e tha me të qeshur, por dikush tjetër duket se e ka marrë seriozisht: bëhet fjalë për Heinz Muller.

Ish-portierit 36-vjeçar i skadoi kontrata qershorin e vitit të kaluar me ekipin e Mainz 05; ai dëshironte të rinovonte dhe pretendonte një kontratë të përhershme (të pakufizuar), ndërkohë që klubi kishte plane të tjera. Muller iu drejtua gjykatës duke nisur një gjyq ndaj klubit gjerman.

Deri më sot, kërkesa e Muller ishte nënvlerësuar, si nga vetë klubi i Mainzit, ashtu edhe nga mediat gjermane apo botërore. Por, ja që mbërriti edhe dita e vendimit të gjykatësit Ruth Lippa…

“Sportistët duhen konsideruar si gjithë punonjësit e tjerë, duke pasur kështu të drejtën, pas dy vitesh punësim, një kontrate me kohë të papërcaktuar. Për këtë arsye, nuk mund të konsiderohet i vlefshëm skadimi i kontratës”, thuhet në vendim.

Harald Strutz, pronar i Mainz-it dhe zv.president i Federatës gjermane të Futbolli,t ka reaguar në një mënyrë tepër konfuze dhe i shokuar: “Ky vendim është unik në llojin e tij. Të gjithë proceset gjyqësore të së kaluarës kanë dhënë vendime të kundërta. Do të apelojmë, por nëse kemi bërë diçka të gabuar, atëherë futbolli do të pësonte një tjetër kthesë epokale, të krahasueshme me rregullin ‘Bosman’. Shoqëritë do të detyrohen t’u paguajnë pagat dhjetëra e dhjetëra lojtarëve, derisa ata të dalin në pension”.

Avokati i Mainz-it, Christoph Schickhardt ka dhënë shpjegimin e tij: “Futbolli nuk mund të barazohet me punët e tjera. Sportistët nuk janë në gjendje të ofrojnë të njëjta shërbime për kaq shumë vite. Ata, në mënyrë të paevitueshme, pësojnë rënie fizike. Gjyqtari nuk e ka marrë në konsideratë këtë. Për mua është e qartë. Ky vendim nuk ka kuptim, edhe për shkak se do të krijonte një precedent të pashembullt”.

Efektivisht, ky vendim do të gjunjëzonte shumë klube, por deri më tani Muller gëzon fitoren…

Top Channel