Rusia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm për Maqedoninë në planin politik dhe atë ekonomik. Partneritetin strategjik me Moskën e ka rikonfirmuar zv/kryeministri maqedonas Zoran Stavrevski, i cili ka thënë se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve mund të thellohet akoma më tepër.

“Rusia gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet partner i rëndësishëm për Maqedoninë. Tregu rus me 144 milionë konsumatorë mbetet një sfidë për kompanitë nga Maqedonia, të cilat në periudhën e kaluar kanë arritur të depërtojnë në këtë treg me prodhimet e tyre”, ka deklaruar Stavrevski.

Gjatë një ceremonie kushtuar 10-vjetorit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, numri dy i qeverisë së Shkupit ka inkurajuar biznesmenët rusë që të investojnë në Maqedoni dhe ka bërë të ditur se vlera e investimeve ruse ka arritur në 400 milionë dollarë amerikanë.

“Dyert tona për investitorët rusë mbeten të hapura. Maqedonia dhe Rusia kanë raporte miqësore në planin politik dhe ekonomik dhe ekziston vullneti që ky bashkëpunim mes dy vendeve të thellohet për të mirën e qytetarëve dhe kompanive në këto shtete”, ka thënë Stavrevski.

Qeveria maqedonase është ndër qeveritë e rralla që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Top Channel