Kosovë, 78 të arrestuar për emigracion ilegal

25/03/2015 00:00

Policia e Kosovës ka arrestuar 78 persona të dyshuar për favorizim të emigracionit ilegal, në kuadër të një aksioni ndërkombëtar të realizuar në 8 shtete nga agjencitë policore EUROPOL dhe EUROJUST.

Sipas një njoftimi për shtyp, në kuadër të hetimit të përbashkët të autoriteteve të Francës, Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Austrisë, Hungarisë dhe Zvicrës, i cili u shtri edhe në Kosovë, u realizua arrestimi i këtyre personave.

Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë ato për “trafikim të qënieve njerëzore”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “ushtrim të krimit të organizuar”, saktësohet në komunikatë.

Policia thotë se ky grup gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie kriminale përdorte rrugët nga Kosova drejt Serbisë për të arritur në Hungari, prej nga do të vazhdonin për në shtetet e tjera evropiane.

Për transportimin e emigrantëve, ky grup përdorte automjete por shfrytëzonte edhe linjat e rregullta të autobusëve për në Serbi. Çmimi për një migrant ishte nga 1.800 deri në 3.500 euro, në vartësi të destinacionit të fundit.

Top Channel