Miratohet kërkesa për arrestimin e deputetëve. Doshi akuzon prokurorin: Ke manipuluar provat

25/03/2015 00:00

Pas disa orë pyetjesh, përgjigjesh e debatesh, përfundoi mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, që në fund miratoi me konsensus kërkesën e Prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Parlamenti për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Prokurorët u përballën gjatë me akuzat dhe pyetjet e deputetit Doshi dhe 3 kolegëve të Partisë Demokratike. Ata insistuan të mësojnë akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj deputetit, për të cilin kërkon arrestimin.

Ndërkohë, Doshi akuzoi prokurorin për manipulim të provave dhe tha se ai do të mbajë përgjegjësi. Deputeti kërkoi që Prokuroria të tërheqë akuzën ose të publikojë videon me Durim Bamin.

Ai pohoi se dëshmitari i penduar, Durim Bami, është kërcënuar me jetën e fëmijëve nga një polic me maskë për të mohuar porositjen e vrasjeve, ndërsa akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm se e ka shitur.

Nga ana e tyre, deputetët e majtë thanë se nuk është ky komision që e çon në burg Doshin, por fjala e fundit është e gjykatës. Pas dëgjesës me Doshin, Komisioni i Mandateve nisi hartimin e raportit mbi kërkesën e Prokurorisë, raport që do ta votojë Parlamenti.

Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme, kërkesa e Prokurorisë për dhënien e lejes për arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut është pika e dytë e rendit të ditës. Raporti i Komisionit do të hartohet gjatë natës dhe do t’i kalojë seancës në mëngjes për votim.

Parashikohet që dy deputetët të marrin fjalën në Parlament, por mesa duket Frroku do të jetë i vetëm, pasi Doshi konfirmoi se sot nuk do të jetë në seancë.

***

Në nisjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, tre përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Arben Ristani, Eduart Halimi, Kastriot Islami, të mbështetur edhe nga deputeti Tom Doshi kanë kërkuar praninë e medias gjatë punimeve.

“Të respektohet tradita e seancave dëgjimore. Media duhet të jetë e pranishme për efekt transparence. Rregullorja parashikon që seanca dëgjimore të jetë e hapur”, deklaruan deputetët demokratë.

Por përfaqësuesit e Prokurorisë kanë kërkuar një seancë me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, parashikuar në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Përfaqësuesit e mazhorancës kanë kërkuar nisjen e mbledhjes në bazë të kërkesës së Prokurorisë, por opozita dhe deputeti Doshi kanë kundërshtuar. Pas disa momentesh debate në fund është vendosur zhvillimi i mbledhjes me praninë e mediave.

Në këto kushte, prokurorët thanë se nuk mund të bënin publike detajet nga hetimi për aq kohë sa në sallë ishte e pranishme media. Por deputeti Doshi ka këmbëngulur në leximin e dosjes hetimore, mbi bazën e të cilës janë ngritur edhe tri akuzat kundër tij, ajo e kallëzimit të rremë, dëshmisë së rreme dhe kërcënimit.

“Ndaj meje është kërkuar arrest. Sot nuk ka më sekret hetimor. Sillni provat t’i shohin shqiptarët që të vendoset nëse do shkohet apo jo në seancë”, deklaroi Doshi, duke shtuar se çdo provë është e manipuluar.

Deputeti i Qarkut të Shkodrës u kërkoi prokurorëve të tërheqin kërkesën e tyre, në të kundërt ai do të bënte publike të gjithë bisedën zhvilluar në ballafaqimet me Durim Bamin, për të cilën për herë të parë tha se e ka të regjistruar, edhe pse cilësohet si një sekret hetimor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Më pas, fjalën e mori njëri prej avokatëve të Tom Doshit, i cili paraqiti para Këshillit qëndrimet e klientit të tij se përse akuzat e ngritura nga prokuroria nuk qëndrojnë.

“Kërkesa e prokurorisë ka ardhur pa kryer hetime të mëtejshme mbi çështjen. Nuk mund të shkelen të drejtat e deputetit edhe nëse ai është nën hetim. Me veprimet e prokurorisë është shkelur parimi kushtetues për barazi para ligjit. Akuzat ndaj deputetit Doshi janë të motivuara nga elementë të politikës, ndaj prokurorët kanë për detyrë të tregojnë se motivimi i tyre është vetëm arsyeja. Gjithashtu, ne kërkojmë të kryhet hetim parlamentar nëse ndaj prokurorisë ka pasur ndërhyrjë nga një institucion tjetër”, deklaroi avokati.

Në fjalën e gjatë para prokurorëve, avokatët e Doshit hodhën poshtë akuzat e prokurorisë. Për të parën, atë të kallëzimit të rremë, ata thanë se klienti i tyre nuk ka bërë asnjë kallëzim te Krimet e Rënda, por hetimet kanë nisur kryesisht. Për akuzën e kanosjes, sipas tyre, nuk ka asnjë fakt që të provojë fajësinë e klientit të tyre, ndërsa për akuzën e deklaratave dhe dëshmive të rreme, thanë që edhe nëse ajo merret si e vërtetë, në asnjë rast një deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të arrestohet për një akuzë të tillë.

Sipas tyre, akuza e Prokurorisë është e nxituar dhe me prapavijë politike prej Prokurorit të Përgjithshëm.

Avokatët kërkuan vlerësimin ‘nul’ të të gjithë hetimit, duke përmendur si bazë të kërkesës së tyre dërgimin e çështjes te Prokuroria e Përgjithshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokurorët u kundërpërgjigjën duke deklaruar se kalimi është bërë në bazë të nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale dhe se te Krimet e Rënda vazhdon faza e hetimeve paraprake.

Në përfundim, fjalën e mori deputeti Tom Doshi. Ai u qëndroi akuzave të mëhershme të ngritura kundër kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe tha se dëshmitarët e çështjes janë manipuluar.

Top Channel