Grekët festojnë Ditën e Pavarësisë, Tsipras: Nëse luftojmë do t’ia dalim

25/03/2015 00:00

Me gjithë motin e keq, mijëra grekë kanë mbushur këtë të mërkurë rrugët kryesore të Athinës, rreth sheshit të Paralmentit, për të ndjekur paradën me rastin e festës kombëtare të 25 Marsit, Ditës së Pavarësisë.

Ka qenë hera e parë pas disa vitesh që kjo festë është zhvilluar në të gjitha qytetet e vendit, pa barrierat e hekurta dhe masat e rrepta të policisë, ndërsa disa herë ishte ndaluar nga qeveria e mëparshme Samaras, nga frika e zhvillimit të protestave të qytetarëve ndaj masave të rrepta të kursimit.

“Ndjejmë se po përjetojmë atë që meritojmë, atë që të tjerët nuk na linin të përjetonim. Ne kemi ardhur për të parë fëmijët tanë. Policia është këtu, por nuk sjell asnjë shqetësim”, u shpreh një qytetar i Athinës.

“Përse të tjerët vendosnin kangjëlla? Policia duhet të jetë me ne, jo kundër nesh. Sot ata janë këtu dhe janë të sjellshëm. Pra, ishte qeveria e mëparshme që duhet fajësuar për gjendjen e mëparshme”, tha një tjetër.

Paradën e kanë ndjekur kryeministri Tsipras, presidenti Pavlopulos, ministri i Mbrojtjes Kamenos dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, që në deklaratat e tyre kanë theksuar sesa e rëndësishme është pavarësia e vendit.

“Sot duhet të kujtojmë se asgjë nuk iu dhurua popullit tonë, por çdo gjë u arrit përmes betejave dhe kur një popull lufton, pavarësisht sesa të fortë mund të jenë kundërshtarët e tij, nëse ai është i vendosur dhe ka të drejtën në anën e tij, atëherë mund të arrijë gjithçka”, deklaroi Tsipras.

Parada është pasuar nga vallet dhe muzika tradicionale e grupeve folklorike, një ngjarje shumë e rrallë në këtë ditë, që e ka bërë atmosferën më festive dhe ka rritur sadopak optimizmin e njerëzve në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi.

Qeveria aktuale e kryeministrit Tsipras, që përballet me rrezikun e madh që të mos gjejë më asnjë lek në arkat e shtetit deri në mesin e prillit, po bën përpjekje për të gjetur burime financiare me partnerët e saj europianë, të cilët nga ana e tyre i kanë dhënë në orët e fundit pesë ditë afat për të dorëzuar planin e reformave që ajo u ka premtuar atyre se do të zbatojë në këmbim të ndihmës financiare.

Top Channel