Kujdesi ndaj shëndetit, kurrë i tepërt

25/03/2015 00:00

Infeksioni në vesh është një ndër problemet shëndetësore që shfaqet shpesh, si në stinën e ftohtë të dimrit, ashtu edhe në verë. Shumëkush mund të mendojë se fëmijët janë më të rrezikuarit, por në të vërtetë, infeksioni i veshit mund të prekë edhe të rriturit.

Pëllumb Ahmeti tregon sesi konstatoi që vuante nga një infeksion në vesh, i cili e detyroi të kryente një ndërhyrje kirurgjikale.

“Kam pasur probleme me infeksionin në vesh dhe me dëgjimin. Kam bërë një ndërhyrje para 10 vitesh, por problemi nuk u zgjidh. Pas këtyre viteve vendosa t’i drejtohesha një spitali privat, për një ndërhyrje më të specializuar dhe, falë doktorëve, sot kam arritur të heq problemin e infeksionit dhe të kem një dëgjim më të mirë sesa më parë”, thotë Pëllumbi.

35-vjeçari, i cili po humbiste edhe dëgjimin, duket se nuk ishte treguar shumë i kujdesshëm për pastrimin e veshëve.

“Problemi kishte ardhur nga prania e ujit në vesh dhe dëmtimi i membranës së tij”, rrëfen Pëllumbi.

Ndërhyrja kirurgjikale është mundësia e fundit për rikuperimin e një problemi shëndetësor. Megjithatë, Pëllumbi tregon se ishte kujdesuar për të mos arritur në këtë fazë, por pa rezultat.

“Jam trajtuar me ilaçe herë pas here, por nuk ka dhënë efekt, sepse infeksioni ishte i papastruar siç duhet brenda veshit dhe, shpesh here me praninë e ujit, më shkaktonte agravim”, thotë Pëllumbi.

Një ndërhyrje që zgjati rreth katër orë, e kryer edhe nga specialistët e duhur, bëri që edhe faza pas operacionit të jetë e lehtë.

“Në spital kam qëndruar dy ditë dhe më pas, pas dy ditësh të tjera kam dal në punë”, tha Pëllumbi. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme për njeriun, prandaj kujdesi nuk është kurrë i tepërt!

Top Channel