Ndërkohë, burime zyrtare në kushte anonimati thanë për Top Channel se gjatë takimit, Daçiç ngriti si shqetësim qëndrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbledhjes së dy qeverive në Tiranë, përsa i përket bashkimit kombëtar në kuadër të Europës së bashkuar.

Sipas burimeve, Daçiç kërkoi kujdes nga “fenomeni i dronit”, sepse sipas tij nuk arrihet qëllimi që duam, si dhe deklaratat për bashkim kombëtar nuk i shërbejnë procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

Sipas të njëjtave burime, ai e krahasoi Kosovën me Republikën Serbe në Bosnje, duke thënë se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është sikur Serbia të bënte të njëjtën gjë me Republikën Serbe të Bosnjes.

I pyetur rreth këtyre deklaratave, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha për Top Channel pas konferencës se, kishte sqaruar për të gjithë se Shqipëria është e gatshme që këtë ka praktikë të bashkëpunimit që ka nisur me Kosovën ta bëjë edhe me vendet e tjera fqinje.

“Kjo nuk është një shpikje historike, ky është një realitet. Perspektiva europiane ka sjellë paqen në rajonin tonë dhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë e i drejtpërdrejtë se, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bashkimin Europian. Kjo nuk është një qasje që mund të shkaktojë xhelozi, se të gjitha kombet që janë pjesë përbërëse e BE-së janë të bashkuara në BE”, deklaroi Bushati.

Sa i takon krahasimit me Republikën Serbe të BeH, Bushati shtoi: “Kjo ishte qasja, por është një qasje që unë e kam dëgjuar edhe nga të tjerët, të cilët ende nuk po pajtohen me realitetet e reja në rajon”.

Takimi i 12 ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor është vazhdimësi e procesit të Berlinit të nisur nga Kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ministrat kanë rënë dakord që takimi i radhës të mbahet në Ohër të Maqedonisë. Ky proces pritet të kulmojë në Austri, në samitin e Vjenës, kur qeveritë e gjashtë vendeve pritet të dorëzojnë projektet konkrete zhvillimore.

Top Channel