Familja e bashkëshortes së Elezit në Siri, ku i është vrarë dhe kunati

25/03/2015 00:00

Pas arrestimit të 38-vjeçarit Alban Elezi, në fshatin Rrakull të komunës Synej, në Kavajë, banorët shprehin habi për akuzën e ngritur ndaj bashkëfshatarit të tyre, ndërsa në shtëpinë e tij, porta e jashtme qëndron e mbyllur. Nëna e Albanit kërkon që ta lënë të qetë familjen “në hallin e saj”.

Një nga të afërmit e të arrestuarit, Luftim Elezi tregon mbi arrestimin që ka tronditur familjen, si dhe për shkak të numrit të madh të forcave policore, që kanë marrë pjesë në të.

“Lajmin e mora vesh rastësisht në mëngjes, binte shi dhe po çoja fëmijët në shkollë. Në atë moment pashë policinë në shtëpinë e Albanit dhe u habita të them të drejtën, sepse ishin një numër i madh policësh dhe makinash të Policisë, që kishin ardhur për ta arrestuar. Interesohem dhe marr vesh që policia kishte shqyer derën, kishte hyrë dhe kishte terrorizuar të gjithë familjen, përfshi edhe fëmijët e vegjël, sepse është baba i 5 fëmijëve. Në dijeninë time, ai ka qenë vetëm një herë jashtë shtetit përpara dy vitesh, por jo ekzaktësisht”, thotë Luftim Elezi.

Frekuentues i rregullt i xhamisë së fshatit, Albani, baba i 5 fëmijëve, njihet si person pa probleme dhe mjaft punëtor. Ai merrej me punë bujqësie, si dhe me punime elektrike për të siguruar jetesën për familjen e tij.

“Jemi të habitur, të shokuar nga kjo që ndodhi sot në mëngjes. Ne e njohim për njeri të mirë. Është hera e parë që dëgjoj që ai merrej me rekrutimin e personave për në Siri, nuk ka pasur kurrë zëra të tillë por e kemi dëgjuar nga televizionet”, tha Vasip Tatani, kryeplak i fshatit Rrakull.

“Ne jemi çuditur faktikisht. Ajo që dua të them unë si kryetar i Komunës, duke e njohur shumë mirë komunitetin, ajo është një familje shumë e mirë, e urtë. Për mendimin tim, ata janë njerëz që shohin punën e vet. Normalisht që janë besimtarë si familje, duke nisur nga babai, edhe vëllezërit. Komuniteti fetar në komunën tonë njihet si jashtëzakonisht i qetë, i cili zbaton ritet e Islamit por kaq, nuk kemi pasur kurrë asnjë lloj problemi”, tha Përparim Çaça, kryekomunar i Synejt.

Në fshat, askush nuk ka vënë re sjellje apo biseda të dyshimta, që ta lidhin Elezin me terrorizmin islamik, por pohojnë se nuk kanë shumë lidhje me këtë familje, që është pothuajse e vetmja me gra të mbuluara në fshatin me mbi 1900 banorë.

Nën zë ka nga ata, që hamendësojnë se varfëria mund ta ketë shtyrë drejt ndonjë aktiviteti të jashtëligjshëm. Të afërm të familjes thonë se prindërit e nuses së Alban Elezit, që janë nga Librazhdi, ndodhen në Siri, ku ka humbur jetën edhe një kunat i tij.

Mbase përmes tyre, Elezi ka vendosur lidhjet me anëtarë të ISIS-it. Të gjitha janë në vazhdën e hamendësimeve, ndërsa në Rrakull qëndrojnë në pritje për të mësuar më shumë mbi Alban Elezin dhe akuzën e rëndë të ngritur mbi 38-vjeçarin, që ka përfunduar arsimin e mesëm në Medresenë e Kavajës.

Top Channel