Zoologët: Kopshti Zoologjik, vend torture për kafshët. Të rindërtohet

25/03/2015 00:00

Gjendjen e mjeruar të Kopshtit Zoologjik në Tiranë  e ngrenë  me shqetësim edhe zoologët, të cilët  thonë se ky kopësht, jo vetëm që e kishte humbur funksionin e tij dhe nuk e meritonte më këtë emër, ndër të tjera ishte një turp sa i përket trajtimit që u bëhej kafshëve në ato ambiente.

Kopshti Zoologjik, në vend që të sillte natyrën e egër dhe kafshët që jetojnë në të, ishte shndërruar më tepër si ambient ku torturoheshin ato pak kafshë të egra që kishin mbetur.

“Nuk shërbente më për asgjë; me kafshë të stresuara, të futura në pak hapësirë, një model i keq që mund t’u ofronim vizitorëve dhe më më tepër fëmijëve. Kafshët janë të stresuara dhe kjo vihet re në mënyrën se si sillen dhe si reagojnë”, thotë Ferdinand Bego, zoolog.

Në një reportazh të disa kohëve më parë të gazetarëve italianë, Kopshti Zoologjik i Tiranës është quajtur si burgu i kafshëve dhe kjo lidhet jo vetëm me izolimin e kafshëve në kafazë të ngushtë e të vegjël, por dhe me mënyrën e përkujdesjes apo trajtimin me ushqim të tyre, që shpesh çonte në ngordhje para kohe.

“Kafshët trajtohen pa ditur biologjinë e tyre, sepse qoftë edhe mishngrënës, nuk mund të hajë vetëm mish. Kafshët aty ngordhin para kohe, ndërkohë që në të gjithë botën kafshët në kopshte zoologjike jetojnë më shumë se kafshët në natyrë”, thotë Bego.

Zoologët thonë se Kopshti Zoologjik duhet të mbyllet dhe jo tani, vetëm për faktin tronditës të para dy ditëve ku demi vrau kalin, por duhej mbyllur më parë, për ta rikonceptuar atë në mënyrë që banorët e tij të mos jenë rosat dhe pulat, por ato që ofron natyra e egër.

Bego shton se duhen edukuar dhe njerëzit që i vizitojnë kafshët, të cilët shpesh u rrisin stresin duke i ngacmuar ato.

“Duhet rikonceptuar. Edhe vizitorët të respektojnë nevojën e kafshëve dhe të pranojnë atë lloj sforcoje, t’u japim hapësirën jetësore kafshëve, hapësirën që ka nevojë çdo qënie e gjallë. Duhet të jemi bashkë për të mbyllur një kopsht zoologjik që nuk ka më këtë funksion”, thotë ai.

Por teksa diskutohet për zgjerim të hapësirës për kafshët, tek ne ndodh e kundërta. Dikush mund të gëzojë për mbylljen e Kopshtit Zoologjik, duke e parë si një mundësi për të shfrytëzuar këtë hapësirë për të ndërtuara pallate, siç ka ndodhur deri më tani, ku kësaj sipërfaqeje i janë marrë disa metra nga të katër anët.

Top Channel