Ferrari? Montezemolo: Jam në heshtje shtypi për pak kohë…

25/03/2015 00:00

Totalisht në heshtje mbi “kokëkuqen”. Luca di Montezemolo, i ndodhur në Venecia gjatë prezantimit të një fluturimi të ri të “Alitalia”-s nga qyteti venecian drejt Abu Dabit, është shprehur se nuk mund të flasë për Ferrarin dhe se “për pak kohë do të qëndrojë në heshtje për shtyp”.

Sigurisht që është i dukshëm trishtimi në lidhje me lamtumirën nga presidenca e Ferrarit, gjatë shtatorit të vitit të kaluar, gjë që ende nuk ka kaluar. Ndërkohë, ai që ka folur në lidhje me skuderinë italiane në prag të takimit të dytë sezonal, në Malajzi, ka qenë drejtori teknik James Alison.

“Zakonisht i gjykojmë pistat në bazë të dy parametrave, ngarkesa dinamike dhe fuqia e kërkuar nga njësia motorike”, ka thënë ai për faqën zyrtare të Ferrarit. “Duke parë vetëm këto dy të dhëna, Sepangu është shumë i ngjashëm me Melbournin. Për këtë arsye konkurrenca e makinës duhet të jetë e ngjashme. Megjithatë, në Malajzi është shumë më nxehtë dhe ka shumë lagështi, faktorë këto për më shumë ‘stresim’ të makinave dhe gomave. Veç tyre ka edhe gjëra të tjera të paparashikueshme, të cilat kërkojnë një ndryshim strategjie të menjëhershme. Në këto raste, gatishmëria për të reaguar është fundamentale”.

Sepangu është një provë tepër e rëndësishme edhe për sistemin e ftohjes së makinës, siç shpjegon projektuesi Simone Resta. Gjithsesi, ai që nxit të tjerët për të mbajtur lart moralin e skuadrës është Maurizio Arrivabene, i pari i skuderisë nga Maranello.

“Duhet të vazhdojmë me teknologjinë tonë, të punojmë më shumë dhe të respektojmë planet tona, pa u futur aspak në panik. Duhet të mbajmë sa më lart moralin e ekipit. Pas vendit të tretë në Australi isha i kënaqur për skuadrën, por kënaqësia është vetëm gjysma e gjësë, sepse njëra nga makinat u ndal ende pa përfunduar gara dhe në podium u ngjitën të tjerë. Ndaj, sipas këndvështrimit tim kemi bërë vetëm gjysmën e punës deri më tani”.

Top Channel