Ukrainë, shpërthen mina, vdesin 4 pasagjerë të autobusit, plagosen 19 të tjerë

26/03/2015 00:00

Të paktën 4 persona kanë mbetur të vdekur dhe 19 të tjerë janë plagosur pasi një autobus pasagjerësh kaloi mbi një minë në lindje të Ukrainës, kanë thënë zyrtarët lokalë.

Aksidenti ndodhi pasi automjeti tentoi të shmangte një pikë kontrolli në qytetin e Artemivskut, i cili është nën kontrollin e qeverisë ukrainase në rajonin e Donetskut. Autobusi ishte nisur nga Artemivsku për në qytetin Horlivka, që mbahet nga rebelët pro-rusë.   

“Shoferi ndoqi një rrugë dytësore për të anashkaluar pikën e kontrollit. Ngjarja ndodhi kur rrota e pasme e autobusit ndeshi në një minë”, tha Vyacheslav Abroskin, kreu rajonal në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.

Horlivka ndodhet në juglindje të Donetskut dhe është një zonë strategjike e rebelëve. Mina të shumta tokësore gjenden në këtë rajon, pas luftimeve të ashpra mes trupave ukrainase dhe separatistëve që lanë më shumë se 6 mijë të vdekur.

Në muajin shkurt u arrit një armëpushim, i cili është duke u zbatuar edhe pse të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime sporadike. Qeveria e Kievit, udhëheqësit perëndimorë dhe NATO thonë se ka prova bindëse se Rusia ka ndihmuar rebelët, ndërsa Moska i ka mohuar gjithmonë akuzat duke thënë se rusët që kanë marrë pjesë në luftë janë vullnetarë.

Top Channel