Kukës, devijohet trafiku në Rrugën e Kombit. Xhika: Zgjidhje, dhënia me koncesion

26/03/2015 00:00

Në Kukës vijon puna për hapjen e trasesë së Rrugës së Kombit, që u bllokua nga shembja e një sipërfaqeje të madhe të skarpatës. Me mijëra ton dhera dhe gurë ranë duke bllokuar qarkullimin.

Kompanitë mirëmbajtëse të rrugës, 8 orë pas shembjes kanë nisur punën për largimin e dherave në zonën Kalimash-Kukës-Morinë.

Ndonëse shumë mjete kanë punuar që nga orët e para të mëngjesit, ende një kalim i rrugës nuk është bërë i qarkullueshëm, ndërkohë që ekspertët kanë bërë të mundur, që qarkullimi i automjeteve të bëhet në sensin tjetër, pas largimit dhe dheut që kishte zënë tërësisht të dyja korsitë.

Zona e dëmtuar është inspektuar edhe nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Ky është një reliev shumë i thyer. Masat shkëmbore nuk kanë një qëndrueshmëri relativisht të lartë. Mendoj se ka qenë gjithmonë në vëmendjen e Autoritetit Rrugor Shqiptar, të firmës së mirëmbajtjes, e cila shpesh herë ka bërë ndërhyrjet e duhura. Në të ardhmen, mendoj se shqiptarët janë vënë në dijeni se kjo rrugë mund të jepet me koncesion, sepse kanë nisur procedurat, për të arritur atë standard dhe cilësi të mirëmbajtjes, që pretendojmë ne”, tha Dashamir Xhika, drejtor i ARRSH.

Shembja nisi mbrëmjen e së mërkurës, në vendin e quajtur “Ura e Leshnicës”, ku mijëra metra kub dhera e gurë ranë në autostradë, ndërkohë që nuk ka të dhëna të jetë dëmtuar ndonjë kalimtar.

Top Channel