Aksidenti i “Germanwings”, një nga pilotët jashtë kabinës së pilotimit

26/03/2015 00:00

Një nga dy pilotët e avionit të “Germanwings”, që u rrëzua në Alpet
franceze, kishte mbetur jashtë dhomës së pilotimit, raportojnë mediat
ndërkombëtare.

Zbulimet e para nga regjistruesi i zërit të dhomës së pilotimit sugjerojnë se piloti bëri përpjekje të shumta për t’u futur sërish në kabinë, kanë deklaruar burime të afërta me hetimin.

Remi Jouty, drejtor i Agjencisë hetimore të aviacionit francez, deklaroi se shpresonte që hetuesit do të kenë një ide më të qartë mbi ngjarjen brenda pak ditësh, ndërsa shtoi se analiza e plotë e incidentit mund të kërkojë javë ose muaj.

Zoti Jouty tha gjithashtu se kutia e zezë e dytë nuk është gjetur ende. Ai nuk ishte në gjendje të konfirmonte deklaratën e Presidentit Hollande se objekti ishte rekuperuar.

Edhe “New York Times”, duke cituar një hetues në kushte anonimati, njoftoi në edicionin e radhës se, një nga pilotët, që nuk dihet nëse ishte kapiteni apo oficeri i parë, kishte dalë nga kabina dhe nuk kishte mundur të hynte sërish.

Duke iu referuar materialit zanor, hetuesi tha: “Ai ndodhet jashtë dhe fillimisht troket lehtë në derë, por nuk merr përgjigje. Më pas ai i bie më fortë, por sërish asgjë. Ai dëgjohet më pas teksa përpiqet të rrëzojë derën”.

Një histori të ngjashme mbi hetimin tha edhe një burim tjetër për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.

Avioni tip “Airbus 320” që fluturonte nga Barcelona për në Duseldorf u përplas me një mal ditën e martë, pas një uljeje të shpejtë për 8 minuta. Të afërmit e 150 pasagjerëve që humbën jetën pritet të vizitojnë vendin e ngjarjes.

Kompania “Lufthansa”, që menaxhon “Germanwings”, do të vërë në punë të enjten dy fluturime të posaçme, njëri nga Barcelona dhe tjetri nga Duseldorfi për në Marsejë dhe më pas të dyja grupet do të udhëtojnë në rrugë tokësore drejt vendit ku ra avioni.

Shefi i “Germanwings”, Thomas Winkelman deklaroi se 72 pasagjerë ishin shtetas gjermanë, mes të cilëve 16 nxënës që po ktheheshin nga një udhëtim shkollor.

Ndërsa 51 të tjerë ishin spanjollë, sipas të dhënave të qeverisë iberike. Viktimat e tjera ishin nga Australia, Argjentina, Britania, Irani, Venezuela, Shtetet e Bashkuara, Holanda, Kolumbia, Meksika, Japonia, Danimarka dhe Izraeli.

Top Channel