Rekrutimi i xhihadistëve në rrjetet sociale; dialogu i Elezit me një minoren

26/03/2015 00:00

Propaganda për rekrutimin e xhihadistëve për të luftuar përkrah ISIS nga dy shtetasit shqiptarë Alban dhe Elvis Elezi, xhaxha dhe nip, bëhej përmes rrjetit social Facebook.

Hetuesit italianë të anti-terrorit kanë zbuluar komunikimet e bëra në datat 12 dhe 13 nëntor 2014 mes 20-vjeçarit Elezi, prej vitesh i vendosur në Torino, dhe një të riu që ai përpiqej të rekrutonte.

“Po të them, vëlla, se Shteti nuk është diçka e krijuar nga Amerika… jam i sinqertë dhe i sigurt. Madje, sot Amerika burgos këdo që tenton t’i bashkohet Kalifatit dhe këtë verë atje (në Siri) është vrarë një miku im. Uroj që Allahu të ketë pranuar martirin e tij. Ka shumë shqiptarë atje, por jo vetëm. Ka nga e gjithë bota: Austria, Amerika, Anglia, Italia, nga gjithë Ballkani dhe Çeçenia”, shkruante Elvis Elezi.

Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, marrësi i mesazheve të Elezit ishte Mahmoud Ben Ammar, një minoren me origjinë tuniziane banues në Itali, që priste të mbushte 18 vjeç për t’iu bashkuar luftës së shenjtë.

Ky i fundit përgjigjej: “Vëlla, po hap një parantezë për hur-in, sepse ti je i vetmi person tek i cili mund të mbështetem”.

Sipas gjykatësit, referimi ndaj fjalës “hur” nuk është i rastësishëm, pasi sipas traditës islamike është parajsa me femrat e reja që u vihen në dispozicion martirëve.

Ndërsa miku i vdekur, sipas hetimeve të gjyqtarit që urdhëroi arrestimin e Elvisit, është Idajet Balliu, që me familjen Elezi ka lidhje familjare.

Nga përgjime të tjera rezulton se Elvisi donte të shkonte të luftonte në Irak, ndërsa minoreni preferonte Dualanë, termi i përdorur nga Shteti Islamik për t’iu referuar Sirisë, prej nga shpresonte të arrinte më pas hur-in.

Top Channel