Tronditja në gjimnazin e nxënësve dhe mësuesve që humbën jetën

26/03/2015 00:00

Edhe pasi fjalët nisën të perhapeshin në gjimnazin “Joseph-König”, se një avion i nisur nga Barcelona drejt Duseldorfit ishte rrëzuar në Francë, drejtori Ulrich Wessel vazhdonte të shpresonte se në bord nuk ndodheshin nxënësit e tij.

14 vajza dhe dy djem po ktheheshin në shtëpi në shoqërinë e dy mësuesve pas një udhëtimi në Spanjë për shkëmbim eksperience. Wessel ishte përpjekur të qetësonte veten me arsyetimin se atë rrugë e përshkonin plot avionë, sidomos në këtë periudhë, kur shkollat gjermane kanë edhe pushimet e pranëverës.

“Fatkeqësisht nuk ishte ashtu siç mendoja. Shkova tek prindërit e tyre. E vetmja gjë që mund të them është se nuk dua ta përjetoj më një eksperiencë të tillë në të gjithë jetën time. Në shkollën tonë është shuar buzëqeshja”, shprehet Wessel.

Ndërkohë, në qytezën e vogël Haltern kanë mbërritur me qindra gazetarë. Banorëve u drejtohen shumë pyetje, por ata kanë vetëm një të tillë: përse?

Gjëja e vetme që dine me siguri të afërmit, kolegët dhe miqtë është se 16 nxënës dhe dy mësues humbën jetën nga rrëzimi i avionit në Alpet franceze.

Ajo që po ndihmon është solidariteti. E-maile të panumërta i janë dërguar Bashkisë së Halternit dhe gjimnazit “Joseph-König”. “Njerëz që asnjëherë nuk kanë qenë në kontakt me shkollën tonë, njerëz nga e gjithë bota shprehin ngushëllimet e tyre”, rrëfen Wessel.

Edhe më shumë e rëndon dhimbjen e familjarëve fakti që adoleshentët për pak do ta kishin humbur avionin. Një vajzë kishte harruar pasaportën dhe i gjithë grupi mund të kishte qëndruar në tokë për të mos e lënë vetëm, nëse familja që e kishte pritur nuk do t’ia çonte me urgjencë në aeroport me shpresën se kështu po e ndihmonte.

Drejtori Wessel shpjegon se ekskursionet me klasën janë pjesë e programit shkollor. Statistikat tregojnë se fluturimi mbetet mënyra më e sigurtë e udhëtimit, shton ai, vetëm se këtë herë statistikat nuk ndihmuan shumë.

Top Channel