Qeveria greke ka gati ndryshimet e duhura ligjore për ndryshimin e politikës së emigracionit. Sipas ministrit të Brendshëm, Nikos Vutsis, ekzekutivi i ri do të përmbushë premtimet e tij elektorale për dhënien e shtetësisë emigrantëve që plotësojnë kriteret.

Këto pohime, Vutsis i bëri gjatë një konference për shtyp në Athinë.

“Kemi filluar të përgatisim bazën ligjore dhe po punojmë me shumë seriozitet për unifikimin e legjistracionit vendas me atë europian, lidhur me politikat për emigracionin. Paralelisht po shikojmë përdorimin e fondeve europiane për krijimin e qendrave, për t’i trajtuar emigrantët në mënyrë humane dhe të barabartë. Deri tani, qendrat e emigracionit ishin në kufirin e atyre që quheshin dikur kampe përqëndrimi, pa trajtim, pa të drejta dhe pa asnjë kusht. Tashmë kjo do të ndryshojë”, tha Nikos Vutsis, ministër i Brendshëm i Greqisë.

Lidhur me dhënien e shtetësisë greke për emigrantët, që kanë jetuar për shumë vite dhe fëmijët e lindur në Greqi, por edhe për shqetësimin se për shkak të krizës ekonomike shumë emigrantë nuk kanë ditët e mjaftueshme të punës, për të rinovuar lejen e qëndrimit, Vutsis u përgjigj se është gati për t’u konsultuar në internet mes palëve të interesit, projektligji për dhënien e shtetësisë.

“Kemi dhënë një premtim dhe do ta mbajmë. Këto dy-tre ditë do të dalë në për konsultim ligji i ri për dhënien e shtetësisë për emigrantët, që jetojnë për shumë vite këtu dhe fëmijët e tyre. Synimi është që, edhe për këtë kategori të bëhet ajo që është e drejtë”, tha Nikos Vutsis.

“Sa për emigrantët që rrezikohet të humbin lejen e qëndrimit për shkak të mospasjes së ditëve të punës për t’u pajisur me lejen e qëndrimit, nuk mund t’iu jap hollësi – shtoi ministri, – pasi nuk jam i informuar për të gjitha detajet e këtij ligji, por natyrisht edhe për ata do të ketë zhvillime pozitive. Po ju them sërish, ne do të punojmë për të pasur një baze ligjore moderne për emigracionin. Ky është premtimi, këtë do të bëjmë”, deklaroi ai.

Top Channel