Deputeti Frroku: Kuvendi mori një vendim të verbër

26/03/2015 00:00

Deputeti Mark Frroku reagoi në Facebook ndaj vendimit të Kuvendit për lejimin e procedimit penal dhe arrestimin e tij.

Ai e konsideroi këtë një “vendim të verbër” dhe që krijon një “standard të rrezikshëm” për Parlamentin.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë, mori një vendim të verbër për të pranuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të më hetuar me disa akuza që i kam kontestuar tërësisht që në fillim. E kam deklaruar qëkur kam marrë mandatin e deputetit se, përballë ligjit jam një qytetar pa imunitet, por nuk mund të mos denoncoj forcërisht dhe publikisht standardin që ka ndjekur Prokurori i Përgjithshëm për të më hetuar mua, si dhe të shpreh mosdakordësinë time me kolegët deputetë që e kanë miratuar këtë kërkesë, pa marrë asnjë provë të qenësishme”, shkruan Frroku.

Sipas tij, “ky është një standard i rrezikshëm për këtë Parlament, i cili sot është i shantazhuar nga organi i akuzës në shprehjen e vullnetit që i ka deleguar populli”.

“Kjo është një shenjë e rrezikshme për të ardhmen e institucioneve dhe politikës shqiptare. Dua t’ju garantoj se unë do ta fitoj betejën ligjore shumë shpejt, pasi askush nuk më ndalon për të realizuar projektet e mia, të mbështetësve të mi dhe të gjithë kristian-demokratëve shqiptarë”, shkruan më tej Frroku në reagimin e tij.

Top Channel