F1, Raikkonen: Ferrari është përmirësuar

26/03/2015 00:00

Te Ferrari nuk mungon optimizmi për rezultat pozitiv në Çmimin e Madh të Malajzisë. Ai që e shpreh këtë është vetë Kimi Raikkonen, i cili në Melburn nuk mundi dot të përfundojë garën për shkak të një gabimi të mekanikëve të skuadrës italiane.

“Jemi në një pozitë më të mirë në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Telajo dhe motori i makinës janë përmirësuar. Në garë jemi më të fortë, por duhet të bëjmë përmirësime në provat kualifikuese. Viti 2015 do të jetë interesant. Në Australi patëm pak probleme, por jemi të shpejtë dhe mund të rivalizojmë me të tjerët”, tha piloti finlandez i Ferrarit.
 
Raikkonen nuk harroi të flasë edhe për ish-shokun e tij të skuadrës, Fernando Alonso, i cili do të jetë i pranishëm në Malajzi pas incidentit të pësuar në Montmelo.

“Edhe unë kam pësuar aksidente. Nëse nuk je gati të marrësh përsipër rrezikun, pas tjeje janë shumë makina të tjera që janë gati ta bëjnë këtë. Është pjesë e lojës, por aksidentet më të mëdha ndodhin në rrugët e zakonshme, jo në pista”, theksoi kampioni i Formulës 1 në vitin 2007.

Top Channel