INSTAT: Vazhdon rritja e konsumit

26/03/2015 00:00

Instituti i Statistikave raportoi se konsumi ka vazhduar të ruajë ritmet pozitive të rritjes, edhe në muajt e fundit të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, në tremujorin e fundit të 2014-s, volumi i shitjeve me pakicë në ekonomi u rrit me 4.1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është tremujori i pestë me radhë, që indeksi i shitjeve në ekonomi regjistron rritje.

Sipas INSTAT, zgjerimi më i madh është vënë re në grupin “ushqime, pije dhe duhan”, shitjet e të cilave në volum ishin 11.3 për qind më të larta se një vit më parë. Për artikujt joushqimorë, INSTAT thotë se shitjet u rritën me 9.2 për qind në terma vjetore, ndërsa për karburantet volumi i tregtuar u tkurr me 0.8 për qind.

Kërkesa e brendshme pritet të jetë faktori përcaktues në ecurinë e ekonomisë, edhe gjatë këtij viti. Me ngalësimin e fortë në rritjen e eksporteve dhe nevojën e qeverisë për të konsoliduar llogaritë e saj financiare, barra kryesore e rritjes ekonomike për këtë vit do të bjerë mbi kërkesën e brendshme për konsum.

Fondi Monetar dhe Qeveria thonë se përmirësimi i besimit, por edhe zbutja e ngërçit në tregun financiar, janë sinjale pozitive, që mbështesin rritjen e kërkesës së brendshme nga qytetarët dhe biznesi. Por a do të munden, konsumi dhe investimet e brendshme, që të garantojë një rritje të prodhimit prej 3 për qind? Kjo duket se do të jetë pikëpyetja më e madhe e ekonomisë për këtë vit, edhe pse FMN dhe Qeveria besojnë se po.

Top Channel