Kosovë, tryezë treditore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

26/03/2015 00:00

Këshilli kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë Luftës, që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka organizuar një tryezë treditore të grupit qeveritar të punës për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore, të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesëmarrës ishin anëtarët e grupit punues qeveritar, përfaqësues të Zyrës së Presidentes dhe të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilat ofrojnë shërbime profesionale për këtë kategori të viktimave civile të luftës, si dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare.

Siç njoftohet në një komunikatë për shtyp, nga Presidenca u theksua nevoja, që ky proces të ofrojë një qasje sa më profesionale, lehtësuese dhe dinjitoze, në mënyrë që të motivojë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, të jenë përfituese të pensionit personal dhe përfitimeve të parashikuara me ligj.

Ndërkohë që, këtij ligji i referohet në një komunikatë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Po bëhet një vit, që kur ligji për këtë kategori ka hyrë në fuqi, por detyrimet e nxjerra nga ky ligj ende nuk gjejnë zbatueshmëri, si pasojë e neglizhencës dhe vonesave nga ana e institucioneve të Kosovës. Zyrtarë qeveritarë, disa ditë më parë dhanë një arsyetim absurd për moskryerjen e detyrimeve të dala nga ligji. Mosinteresimin e tyre për trajtimin e kësaj kategorie të dalë nga lufta e mbuluan, duke u justifikuar se kjo çështje është e ndjeshme dhe e vështirë. Këto deklarata, përveç se janë të papërgjegjshme, janë gjithashtu të pamoralshme dhe të kundërligjshme. Vetë deklarimi i Qeverisë e vështirëson procesin, duke i dekurajuar viktimat e abuzimit seksual dhe dhunimeve, që të paraqiten në Komision, kurdo që ai të themelohet”, thuhet në komunikatën e VV.

Top Channel