Gruevski nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit të Maqedonisë

26/03/2015 00:00

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski theksoi se shërbimet e huaja sekrete po tentojnë të destabilizojnë Maqedoninë. Sipas Gruevskit, këtë skenar po e ndihmon rivali i tij politik, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, përmes publikimit të bisedave të përgjuara telefonike, që ai i quan të montuara.

“Ka tentativa për rrezikimin e sigurisë së vendit. Jo rastësisht u paralajmërua edhe publikimi i bisedave të montuara lidhur me çështje ndëretnike dhe çështje të tjera të ndjeshme, që mund të krijojnë situata të caktuara të ndjeshme te qytetarët, t’i manipulojnë ata, t’i vënë në gjendje shoku dhe të tentojnë të nxisin agresivitetin e tyre, reagimin e tyre”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Numri një i qeverisë së Shkupit, tejkalimin e krizës politike e sheh përmes ndëshkimit të personave, që sipas tij kanë regjistruar, përpunuar dhe publikuar materialet e përgjuara.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka vazhduar me prezantimin e materialeve audio, që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Gruevskit në skandale të rënda korruptive. Sipas liderit opozitar, në bisedat e përgjuara telefonike kryeministri maqedonas dëgjohet duke biseduar me bashkëpunëtorët e tij të afërt, për manipulimin e disa tenderëve, nga të cilët ka përfituar miliona euro.

“Sot jemi dëshmitarë, sesi Gruevski ka bërë marrëveshje për provizione me vlerë miliona euro, si ka bërë ndërhyrje joligjore në procedurat tenderuese, si dhe ka favorizuar e manipuluar tenderë për disa firma. Në mënyrë jonjerëzore, ai ka detyruar disa persona të shkelin ligjet për interesat e tij personale. Sot shohim sesi ka vjedhur miliona euro, parà të qytetarëve, përmes tenderëve për hekurudha dhe autostrada”, tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Ndërkohë, të hënën e ardhshme pritet të fillojnë në Bruksel negociatat midis dy partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, për nxjerrjen e vendit nga kriza politike. Në këto bisedime nuk janë ftuar përfaqësues të partive shqiptare.

Top Channel