Përkujtohet masakra e Krushës së Madhe. Pas 16 vitesh, ende mister fati i 64 të zhdukurve

26/03/2015 00:00

Krusha e Madhe përkujtoi banorët e vrarë gjatë masakrës së kryer 16 vjet më parë, nga forcat serbe në këtë fshat. Nga varrezat e viktimave u kërkua drejtësi, pasi ende nuk dihet asgjë për fatin e 64  personave, të cilët vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Po pyes drejtësinë, kryesisht drejtësinë ndërkombëtare. A nuk kanë mjaftuar këto krime, që të ngrihet padi deri më tani në Krushë të Madhe? Prej 16 vitesh kërkojmë nga faktori ndërkombëtar, që të bëjë presion ndaj Serbisë për fatin e të pagjeturve. Asgjë s’kanë bërë. Për vite me radhë iu kemi ofruar Tribunalit të Hagës dhe hetuesve ndërkombëtarë dëshmi për krime. Asgjë s’ka ndodhur. Zyrtarisht, Tribunali i Hagës në Krushë gjeti 2 krematoriume, 8 varreza masive dhe 241 të vrarë; gra, fëmijë dhe pleq”, tha Sejfullah Sejfullahu, përfaqësues i Krushës së Madhe.

Sejfullahu kritikoi Bashkimin Evropian, që sipas tij po merret me krime të supozuara, e nuk po merret me krime të dokumentuara, ndërsa akuzoi UNMIK-un se i mori dhe i zhduku faktet nga Krusha e Madhe.

Krushjanët vazhdojnë sërish të mbledhin fakte dhe dëshmi, për krimet që u bënë gjatë ’99-s në vendin e tyre. Sejfullahu kërkoi ndihmë për padi ndaj Serbisë dhe kërkoi, që të mos i zhbllokohet pasuria familjes së Millosheviçit, pasi sipas tij ajo pasuri është vjedhur në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i pranishëm në ceremoninë përkujtimore tha se, të rënët janë forca që e shtyn përpara Kosovën.

“Të mendojmë çdo ditë për ta, para se të ecim dhe të bëjmë hapin tonë për më të mirën e vendit tonë. Të kemi frymëzim nga ata, që të mos ndalemi kurrë, deri në arritjen e idealit të tyre. Të mos ndalemi kurrë, deri në momentin kur dikush duhet të përgjigjet, për krimet që bënë. Derisa të zgjidhet fati i Ukshin Hotit dhe derisa Kosova të jetë një shtet i fuqishëm, shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe i integruar në Bashkimin Evropian dhe strukturat atlantiko-veriore”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të enjten u përkujtuan edhe të vrarët e fshatit Krushë e Vogël, ku forcat serbe vranë të gjithë burrat e fshatit. Nga 113 viktimat, 86 prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Top Channel