Avokati i Doshit: Ndalim i paligjshëm. Do kërkojmë lirimin në Gjykatën e Lartë

26/03/2015 00:00

Avokatët e deputetit Tom Doshi deklaruan se klienti i tyre nuk është marrë ende në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërkohë që ritheksuan qëndrimin e tyre mbi urdhër-ndalimin e nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme, që e cilësojnë si të paligjshëm.

Në dalje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ata thanë se deri më tani janë kryer me shumë korrektesë procedurat nga ana e policisë.

Ka disa informacione në rrugë jozyrtare që pohojnë se policia ka marrë nga banesa e Tom Doshit një kompjuter tavoline dhe një kompjuter portativ, që të dy të deputetit Tom Doshi.

Avokatët e deputetit thanë se nga kontrolli në banesën e klientit të tyre nuk është gjetur asgjë e paligjshme, por nuk mund të konfirmonin marrjen e dy kompjuterave.

Më herët avokati Vladimir Meçi deklaroi se do të kërkojnë nga Gjykata e
Lartë lirimin e menjëherëshëm të klientit të tyre, duke e cilësuar
arrestimin si në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe vetë vendimin e
dhënë nga Kuvendi seancën e së enjtes. 

“Qëndrimi që ne do të mbajmë është t’i kërkojmë Gjykatë së Lartë lirimin e menjëhershëm të zotit Doshi bazuar në tejkalimin e kompetencave të Prokurorit të Përgjitshhëm në shkelje Kushtetutës dhe tejkalimin e të drejtës që i ka dhënë parlamenti shqiptar Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit Doshi”, tha avokati Vladimir Meçi.

Sipas tij Kuvendi ka lejuar prokurorinë që të arrestojë deputetin, por nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se Doshi do të largohej nga Shqipëria.

“Parlamenti ka lejuar prokurorinë që të arrestojë zotin Doshi, por nuk i ka dhënë leje që të ndërmarrë hapa të tjerë, siç është hapi i ndalimit. Nuk ka asnjë provë që zoti Doshi do të largohej nga Shqipëria. E vërteta është që e gjetën në shtëpinë e tij, sot ka qenë në shtëpinë e tij. Do bëjmë një kërkesë për lirimin e menjëhershëm si një vendim në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe vendimin e Parlamentit të Shqipërisë”, tha ai.

Top Channel