Dekriminalizimi i politikës, amendament i PD-së për ndërprerjen e mandatit të deputetëve

26/03/2015 00:00

Komisioni për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit gjatë 40 minutave të mbledhjes së tij prodhoi sot shumë retorikë politike dhe pak veprime konkrete, edhe këta të kontestuar.

Përveç paltformës për dekriminalizimin, demokratët paraqitën amendamentin kushtetues, të vlefshëm vetëm për këtë legjislaturë, që ndërpret mandatet e çdo deputeti me rekorde kriminale.

Sipas amendamentit, kjo ndodh kur konstatohet se deputeti është dënuar me të paktën 1 vit për një krim të kryer me dashje gjatë periudhës 20-vjeçare deri në bërjen e betimit në vitin 2013. Amendamenti i vendos nën një betim tjetër deputetët për t’u vetëdeklaruar, nëse kanë një dënim të formës së prerë që nga viti 1993 apo jo.

Mazhoranca e cilësoi dorëzimin e këtij amendamenti si kapërcim të planit të punës dhe këtu u vunë re tone të larta mes palëve sepse socialistët akuzuan opozitën për “show” politik, ndërsa demokratët u kërkuan socialistëve të tregojnë vullnet politik për të çuar përpara procesin e dekriminalizimit për të mos lejuar kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e qershorit.

Mazhoranca propozoi që komisioni të shtojë në planin e vet të punës dhe zgjidhjen e çështjes së pandëshkueshmërisë, ku nënkryetari Taulant Balla përmendi si shembull kreun e opozitës Lulzim Basha dhe procesin penal që ka patur dikur në Prokurori.

Megjithë mosbesimin e lartë që shfaqën te njëri-tjetri, demokratët dhe socialistët ranë dakord t’i drejtojnë një kërkesë të përbashkët disa institucioneve europiane dhe Ambasadës Amerikane për të marrë asistencë juridike për zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit.   

Top Channel