Andrea di Blasio, drejt Palestinës me biçikletë

26/03/2015 00:00

Ai është një italian, të cilin shumë njerëz do e quanin të çmendur, me atë që po bën. Andrea di Blasio ka vendosur të mbështesë çështjen palestineze, në një mënyrë krejt të veçantë, duke përshkruar me biçikletë distancën nga Roma për në Ramallah të Palestinës, përafërsisht 6000 km.

46-vjeçari i lindur në Romë, disa vite më parë nisi të shqetësohej nga lajmet që dëgjonte për Palestinën, veçanërisht për fëmijët viktima të luftës. Nuk mund të qëndronte pa bërë asgjë, mori biçikletën dhe u nis.

Kaloi nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe aktualisht është në Shqipëri. Çdo gjë që i duhet e ka me vete. Tendën e çmontueshme për të fjetur, mjetet e gatimit, e deri te kutia e ndihmës së shpejtë. Orientimi? Falë “i-Pad”-it hartat janë lehtësisht orientuese.

Andrea do të vazhdojë itinerarin për në Greqi, Turqi, Qipro, e më pas do të marrë tragetin për në Izrael. Në mbështetje të çështjes, biçikleta e tij ka të vendosur flamurin palestinez, në të dy anët e pasme.

Edhe pse e di se, përveç vështirësive fizike mund të rrezikojë edhe jetën në kufirin izraelit, ai nuk trembet. Do t’i tregojë Izraelit, që një qytetar i lirë me biçikletë mund të hyjë lirshëm në kufi.

Mendon se kjo sakrificë ia vlen për të gjitha padrejtësitë që po bëhen në tokën palestineze. Shpresa që ka ai, është se shumë njerëz mund ta ndjekin në vendet ku kalon, për t’iu bashkuar kauzës. Kjo nuk është distanca e vetme e gjatë për të.

Në vitet 2013-2014, ai përshkoi Australinë dhe Zelandën e Re, përmes Tasmanisë. Në atë kohë, motoja e shkruajtur në biçikletën e tij ishte “Hiq dorë nga gjërat e kota dhe kontrollo jetën tënde”. Është shumë idealist dhe mendon se një njeri i vetëm, nëse përpiqet fort, mund të ndryshojë të gjitha padrejtësitë e botës. Sfida e Andreas sapo ka nisur…

Top Channel