Kreu i bashkisë, më mirë një mashkull apo një femër?

26/03/2015 00:00

Kanë kaluar disa dekada nga koha, kur Kinostudioja “Shqipëria e Re” prodhoi filmin “Kapedani”, në subjektin e të cilit ngrihet dilema e grave kryetare. Por, edhe pse qysh atëherë është propaganduar fort, që gruaja të jetë në drejtim, mëdyshje të tilla vijojnë të na pushtojnë edhe sot.

Vitet e fundit, edhe pse politika aktuale është përpjekur ta përcaktojë me ligj kuotizimin e grave në pozitat drejtuese, vetëm një ditë më parë, Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar propozimin e një grupi deputetesh të majta e të djathta, ku kërkohej që 20% e kandidaturave për kryetarë bashkish në zgjedhjet e ardhshme të jenë gra.

Argumenti ka qenë se nuk ka vend për një vendim të tillë, sa kohë ai është i pazbatueshëm në terren. Por cili është këndvështrimi i atyre, që nuk mbajnë xhaketat e ligjvënësve?

Shumë zgjedhin gratë, sepse “janë lodhur” me burrat, të cilët s’kanë bërë gjë deri më sot. Ka nga ata që mendojnë se njësoj është në të dyja rastet, por, edhe pse në pakicë, ka edhe përkrahës të burrave në krye të Bashkive.

Për femrat mendojnë se janë më të zgjuara, kanë një anë menaxhimi më të drejtë, ndërsa burrat sidoqoftë e kanë “në gjak” paksa mashtrimin dhe abuzimin. Përmendet edhe fakti që shumë femra “ekonomisin” shtëpitë dhe familjet e tyre më mirë sesa burrat, por përkrahësit e këtyre të fundit thonë se meshkujt janë të avantazhuar sepse i përballojnë më shumë presionet. Për femrat thuhet edhe se nuk mbajnë të tjerë me hatër, por shpresohet t’i konsiderojnë qytetarët si fëmijët e tyre.

Por, një shprehje e famshme e Margaret Thatcher thotë se “nëse doni të dini sesi është një punë, pyesni burrat. Nëse doni ta dini sesi bëhet ajo punë, pyesni një grua”.

Gjykuar nga ky grumbullim opinionesh, shumica konsiderojnë gruan në krye të një instutucioni të pushtetit vendor. Ato vlerësohen për cilësitë menaxhuese, për transparencë dhe ndershmëri, e pavarësisht kësaj do të vazhdojnë të jenë gjini e përfaqësuar në pakicë.

Top Channel