“Top Story”, precedenti i ndalimit të deputetëve

26/03/2015 00:00

Kjo e enjte mund të vlerësohet si historike sa i përket raporteve mes drejtësisë me politikën në vendin tonë. Që nga Korriku i vitit 1993, kur lideri i atëhershëm i opozitës, Fatos Nano prangosej në shtëpinë e tij, një ditë pasi i ishte hequr më parë imuniteti në Parlament, sot po në shtëpinë e tij prangoset Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Dy deputetët e mazhorancës janë të përfshirë në skandalin më të fundit politikë dhe mediatik, atë të një porosie, që me sa duket, po provohet e rreme, për të vrarë këta dy deputetë në emër të Ilir Metës.

Është një ditë që ka nevojë për reflektim, pasi siç tha edhe Mark Frroku, ndoshta në fjalën e tij të fundit të karrierës politike sot në parlament, kur i bëri thirrje deputetëve që të mos e votonin sepse po i hapnin një precedent vetes, duke sjellë një reminishencë të fjalës të të ndjerit Azem Hajdari që në vitin 1992, kur i hiqej imuniteti pati thënë të njëjtat fjalë.

Çfarë ka ndodhur sot? Cilat janë pasojat? E për më tepër cili është precedenti që po krijohet? Për t’iu përgjigjur këtyre dhe të tjera pyetjeve, këtë të enjte në panelin e Top Story ishin të ftuar analistët Mustafa Nano, Artur Zheji dhe Mero Baze si dhe kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi.

Ky i fundit nga Shkodra e cilësoi një farsë ndalimin e dy deputetëve të këtij qarku, një ndalim, që sipas tij, nuk është i drejtë.

“Në Kuvend ka akuza gjithmonë, por këtë herë Prokuroria paska vendosur që ta nxjerrë të vërtetën dhe unë uroj që ta zbardhë. Por, mua më duket si një tallje me Kuvendin pasi Prokuroria kërkon leje për arrest dhe të nesërmen bën ndalesë dhe kërkon ta certifikojë në gjykatë. Kjo është një procedurë e gabuar. Paraburgimi bëhet në kushtet e një rrezikshmërie të lartë shoqërore dhe një kallëzim i rremë është vepra më e ulët. Ka precedentë: Basha, Meta dhe Mediu nuk u paraburgosën për vepra më të rënda. Gjithashtu, Ristani dhe Paloka nuk janë paraburgosur për shpifjen”, u shpreh Gjinushi.

Ndërsa për Mustafa Nanon, kjo është “një situatë shumë e mistershme”.

”Ka dy mundësi: ose Tom Doshi është pjesë e një plani për të destabilizuar vendin dhe duhet arrestuar, ose ka haluçinacione dhe është për të ardhur keq. Kanë ndodhur shumë gjëra në Shqipëri, por dy deputetë që më në fund arrestohen, arrestohen për dëshmi të rreme”, theksoi Nano.

Edhe Artur Zheji mendon se “është një situatë sa qesharake, aq edhe tragjike”: “Duket sikur po “luajnë filma” në një kohë që jemi në krizë ekonomike. Opozita e bëri kauzë të vetën dhe u vu shteti dhe besueshmëria institucionale në udhëkryq. Kemi një paradoks shumë të madh. Duket sikur ka një regji për të destabilizuar vendin.”

Mero Baze nënvizon se Tom Doshi ka detyrim ndaj shoqërisë shqiptare të “të tregojë motivin përse do të vritej nga kreu i Parlamentit të Shqipërisë”.

“Nëse Tom Doshi na e tregon motivin, atëherë kemi të bëjmë me një histori tronditëse. Nëse nuk ka motiv, atëherë kemi të bëjmë me skenar të sajuar”, deklaroi Baze.

Top Channel